U tall keq me “gjel kokoshin” Kamenos që kërcënoi me luftë, mediat greke hakmerren ndaj Kodhelit (FOTO)

Prej disa javësh Athina zyrtare si edhe media të caktuara greke janë duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kryeministrit dhe ministrave të Shqipërisë.

Krahas deklaratave pompoze me veshje ushtarake në kufi të ministrit të Mbrojtjes së Greqisë Kamenos, i cili përfaqëson një parti pranë ekstremit të djathtë grek, në sulm janë hedhur edhe mediat e këtij shteti duke marrë në shënjestër Mimi Kodhelin. Kjo e fundit, ironizoi hapur kërcënimet për luftë të Kamenosit duke thënë se nuk e kuptonte këtë retorikë të homologut të saj dhe se kishte ikur “koha e satrapëve”.

Sot, një media anonime greke, e quajtur militaire.gr ka botuar një shkrim qartësisht tendencioz ndaj Mimi Kodhelit duke aluduar për të shkuarën e saj.

“Para 25 vitesh, ajo ishte një balerinë e bukur që punonte në Syngrou Avenue, siç kujton Christos Capuço”, shkruan faqja “militaire,gr”, e specializuar për informacionet mbi sigurinë. “Më pas ajo shkoi për studime në SHBA ku kreu doktoratë për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pasi u angazhua në politikë, sot ajo është ministre e Mbrojtjes në shtetin fqinj”.

Në shkrim nënvizohet se Shqipërisë nuk mund t’i vijë në ndihmë as Turqia, kur ajo të kthehet në një vrimë të zezë në hartë. “Ishte Greqia që hapi kufirin dhe pagoi një kosto të lartë nga rrëzimi i sistemit totalitar”, thuhet në shkrim duke kujtuar pritjen e mijëra emigrantëve shqiptarë pas viteve 1990.
Duket se qarqet nacionaliste greke nuk e kanë kapërdirë dot talljen e hapur që Kodheli u bëri mnistrit të tyre, i cili kërcënoi Shqipërinë me luftë në një kohë kur të dy vendet janë anëtarë të NATO-s.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu