Vdes suedezi që me paratë e tij botoi libër për helmimin e shqiptarëve

Ka vdekur suedezi Göran Wassenius. Ai kishte shkruar libër për helmimin e nxënësve shqiptarë nga serbët gjatë viteve ‘90, botimin e të cilit e kishte bërë me paratë e veta.

Ky lajm është bërë publik nga publicist shqiptar që jeton në Suedi, Shqiptar Oseku, i cili edhe e ka dhënë lajmin për vdekjen e tij.

“Pas çlirimit të Kosovës, Göran Wassenius iu përkushtua me vite zbardhjes së helmimit të qēllimshëm të nxënësve e personelit shkollor në Kosovë në mars 1990. Bëhet fjalë për një ndër episodet më të errëta e më morbide të terrorit serb mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin, mjerisht, nuk e njohin as shumë shqiptarë dhe sot e kësaj dite.

Ai bëri hisen që i kish ngarkuar vetes, megjithatë. Më 2009 ai botoi librin Den mystiska sjukdomen (shqip përaf. Sëmundja.e mistershme) dhe pagoi nga xhepi i vet një sajt interneti me të njëjtin emër, ku përshkruan saktë helmimin e qëllimshëm të fëmijëve shqiptarë nga Serbia.

Ai aty identifikon 7421 pacientë, nga mosha 2 vjeç gjer 66 vjeç. Shqyrton llojin e helmit të gjetur, analizat toksikologjike, arsyet dhe kontekstin politik të kohēs, reagimet e botës, propagandën serbe për gjoja “psikozë histerie masive”. Por me pedanterinë e mësuesit të gjimnazit, përmend edhe faktin se ndër të helmuarit ishte edhe një pacient serb. Një polic.

Kisha rastin të bashkëpunoj ca me zt. Wassenius rreth asaj pune dhe më kujtohet si ankohej për mosinteresimin që haste te shqiptarët. “Ky helmim duhet të ketë muze, monografi, të jetë pjesë e kurrikulave nē shkolla”, më thonte netve të vona në telefon. Çfarë t’i thoja. Nuk dija çfarë t’i thoja. Nuk do të dija çfarë t’i të them as sot. Më vjen turp por duhet ta pranoj, se ajo kauzë e tij ishte dhe arsye pse unë i rrallova kontaktet me të. Ndieja siklet të madh kur dëgjoja kërkesat e tij të arsyeshme, ndërsa e dija mosinteresimin e autoriteteve tona. Më thyente përbrenda ai siklet. Sikur tash që më thyen ndjenja e fajit. Duhej të të kisha ndenjur pranë, miku im. Duhet ta kishim ndarë atë siklet bashkë. U tregova i lig ndaj teje, pse kisha dhe kam një atdhe të lig.

Jo, nuk e di as sot se çfarë do t’i thoja z. Wassenius. Mirëpo, e di fort mirë se çfarë dua t’u them autoriteteve në Kosovë, e në Shqipëri. Dua t’ju them se emrin Göran Wassenius meriton ta ketë një një shkollë, a një rrugē, a një sokak diku në Kosovë, e në Shqipëri.

Dua t’u them se i keni shumë borxhe historisë sonë, qytetarëve tanë. Por ju lutem shumë të keni dinjitet, që të mos u mbetemi borxh atyre qē dhanë për ne pa na patur gjë borxh.

Më fal, miku im! Sa rroj do të të kujtoj”, ka shkruar Oseku në profilin e tij në rrjetin social Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu