Vizita e Presidentit Meta në Maqedoni, përse u shërbeu më shumë maqedonasve

Presidenti Ilir Meta ka veshur prej më shumë se një viti kostumin e politikanit konstruktiv brenda dhe jashtë vendit duke mos hequr dorë nga ky kujdes i madh për t’u dukur “jo rrëmujaxhi” edhe kur bëhet fjalë për çështje ku interesat e shqiptarëve janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejt, siç janë ngjarjet e rënda të ndodhura ndaj tyre kohët e fundit në Maqedoni.

Me një fjalim pa ngjyrë, Meta dha mesazhe të përgjithshme në krah të Presidentit Ivanov gjatë konferencës së përbashkët për shtyp sikur çdo gjë të shkonte vaj për shqiptarët në Maqedoni, aq sa shumë prej atyre që po e dëgjonin filluan të pyesnin mes veti nëse i kishin dëgjuar mirë se çfarë po deklaronte Presidenti i vendit amë.

Në pjesën e parë të fjalës së tij, Meta i ftoi maqedonasit që të mos gjykojmë njeri-tjetrin për çështje që i takojnë se kaluarës (!).

Por, nga ajo që dinë dhe kanë përjetuar shqiptarët e Maqedonisë të paktën gjatë dekadave të fundit, nuk ka patur asnjë rast që t’u kenë rënë më qafë maqedonasve, gjë për të cilën këta të fundit s’duhet t’i paragjykojnë.

Përkundrazi, përveç se u janë shkelur të drejtat vazhdimisht, shqiptarët e Maqedonisë janë përballur me represionin e policisë dhe ushtrisë maqedonase për vite me radhë.

Kujtojmë këtu aksionet e vazhdueshme nëpër fshatra dhe zona shqiptare ku kanë mbetur dhjetra të vdekur.

Janë ndodhi që nuk janë zbardhur kurrë, për të ardhur në ngjarjet më të freskëta siç janë vrasjet në Lagjen e Trimave dhe çështja “Monstra” ku shqiptatët janë burgosur edhe pse pranohet botërisht se të dyja janë histori të stisura në nëntokën e shërbimeve sekrete sllave.

I pyetur në lidhje me vrasjen dhe burgosjen e shqiptarëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, Meta tha se nuk donte të ndërhynte në çështjet e brendshme ligjore të Maqedonisë duke bërë thirrje për respektimin e vlerave europiane në nivelet e tera të gjykimit.

Një gjuhë kjo, e cila i shkon për shtat shteteve që i kanë zgjidhur problemet mes tyre, por jo siç i takon raporteve që Maqedonia ka me shqiptarët në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, etj.

Edhe pse Presidenti Meta nuk donte t’i sikletoste autoritetet maqedonase, kanë qenë vetë anëtar të maxhorancës aktuale atje që kanë pranuar se ashtu si “Monstra” edhe “Çështja Kumanova” është një ngjarje e stisur me prapavijë anti-shqiptare.

Madje, Presidenti i Shqipërisë shkoi deri aty sa e ndau Nënë Terezën me maqedonasit pa e ditur apo pa e marrë në konsideratë faktin se për vite me radhë ka një “luftë” identiteti mes shqiptarëve dhe sllavëve për figurën e saj.

“Marrëdhëniet misi fqinjëve janë si marrëdhëniet midis njerëzve. Sikurse iu referova një thënieje të Nënë Terezës, një simboli të përbashkët për të gjithë ne, e cila ka thënë: Nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk do të ngelet kohë për t’i dashur ata. Kjo do të vlente edhe për marrëdhëniet midis fqinjëve”., -tha Meta duke shkaktuar jo pak konfuzion tek shqiptarët.

Për të gjitha këto, maqedonasit dolën të fituarit e vetëm na kjo vizitë pasi morën edhe legjitimitetin e Presidentit të Shqipërisë për raportet e tyre me shqiptarët atje duke mos u lënë hapësirë edhe atyre që të ankohen për problemet e ndryshme, ndërsa të vrarët e të burgosurit “Monstrës” dhe “Kumanovës” presin drejtësi…/albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu