Zaev propozon për kryetar Kuvendi një ish ministër të Gruevskit!

LSDM-ja e Zoran Zaevit, e cila mori dhjetëra mijëra vota shqiptare me premtimin për dekriminalizimin e skenës politike, tani propozon një ish ministër të Gruevskit për kryetar parlamenti! Bëhet fjalë për Talat Xhaferin, i cili në Qeverinë e udhëhequr nga Nikolla Gruevski u bë ministër i mbrojtjes, ndërsa më pas si shef i grupit parlamentar të BDI-së votonte të gjitha nismat e VMRO DPMNE-së në Kuvend. Opinioni publik, sidomos ai shqiptar, mbetet i habitur me këtë veprim të LSDM-së së Zaevit, duke ditur biografinë politike të Talat Xhaferrit si një ndër mbrojtësit më të mëdhenj të politikave të VMRO-së. Jo vetëm me votimin e ligjeve të Gruevskit, por edhe në karrierën e tij si ministër Xhaferri njihet për skandalet korruptive, të cilat janë toleruar nga Qeveria e VMRO DPMNE-së. Në vitin 2014, doli në pah se si ministër i mbrojtjes, Talat Xhaferri ka paguar bashkëpartiaken e tij Ermira Mehmeti nga 30.000 denarë në muaj, gjoja si këshilltare e tij!

Gjithashtu, po të njëjtin vit u zbulua se Xhaferri ka “blerë” magjistraturën e tij me paratë e popullit, pasi nga buxheti i ministrisë i ka paguar profesorit Zoran Nacev 100.000 denarë për 50 kopje librash, i cili njëkohësisht ka qenë edhe mentori i Talatit në magjistraturën e tij! Këto dy skandale asnjëherë nuk u hetuan nga organet kompetente dhe u heshtën nga VMRO-ja, ndërsa Xhaferri ia ktheu shërbimin Gruevskit duke përkrahur të gjitha propozim ligjet e tij, dhe duke kundërshtuar të gjitha ligjet e LSDM-së, përfshirë ligjet e nevojshme për Prokurorinë Speciale. Për këtë shkak, mbetet i pakuptimt veprimi i Zaevit që një figurë të tillë kontroverse dhe shumë të afërt me VMRO DPMNE-në ta propozojë për kryetar Kuvendi. Mbetet të shihet nëse partitë e tjera shqiptare, Besa dhe Aleanca, do të votojnë që njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gruevskit, Talat Xhaferri, të bëhet kryetar i parlamentit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu