Zbuloni cili është futbollisti shqiptar më i kërkuar në Itali

Atalanta ka vendosur ta kthejë në bazë Berat Xhimshitin, pas sezonit të mirë që zhvilloi gjatë huazimit te Avelino në Serinë B. Mirëpo, për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare nuk është ende e sigurtë nëse e ardhmja do të jetë me fanelën zikaltër të bergamaskëve.

Kjo, duke parë që për momentin është shqiptari më i kërkuar në Serinë A. Eshtë veçanërisht skuadra e Krotones, që po ngulmon për të siguruar shërbimet e Xhimshitit. Klubi që mbijetoi vetëm javët e fundit mes më të mëdhenjve të futbollit italian ka shfaqur tepër interes për 23-vjeçarin kuqezi. E madje mësohet se kanë nisur bisedimet me Atalantën, në përpjkje për t’ua shkëputur, qoftë edhe në huazim. Megjithatë, Krotone nuk është e vetmja që pëlqen Xhimshitin.

Në gjurmët e tij gjendet edhe një tjetër ekip i kampionatit Italian, si Kievo, ndërsa në orët e fundit ka hyrë në garë gjithashtu, Benevento. Ekipi që do të luajë këtë sezon për herë të parë në Serinë A, mund të synojë ta marrë mbrojtësin shqiptar, bashkë me Boris Radunoviç, tjetër lojtar në pronësi të Atalantës, por që ashtu si Xhimshiti vjen nga një përvojë pozitive tek Avelino, ku ishte në huazim.

Ditët e ardhshme pritet që të sqarojnë më mirë pozicionin e Xhimshitit, nëse Atalanta do të bëjë rezistencë për ta mbajtur apo do të vendosë që ndoshta është më mirë ta dërgojë të luajë edhe një vit në një tjetër skuadër për të fituar më shumë përvojë. E sigurtë gjithsesi është se e ardhmja e ish-mbrojtësit të Zyrihut dhe Avelinos do të jetë në Serinë A.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu