Zheji sulmon Dritëro Agollin pas vdekjes: Është përdorur nga Enveri për të dënuar intelektualë, janë pushkatuar poetë me “Ok”-n e tij

“Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës”.

Kështu shkruan analisti Artur Zheji, në një opinion të sotëm botuar në 360gradë.al, teksa analizon ceremoninë për përcjelljen e shkrimtarit dhe ndalet posaçërisht në fjalën e mbajtur nga Kryeministri Rama para arkëmortit të të ndjerit.

Sipas Zhejit, “kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në Rtsh, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjizori i mrekullueshëm, Kujtim Spahivogli që kam patur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi sëbashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera. Apo kur u burgos Edison Gjergo, për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye. S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90”.

Zheji thekson më tej, se “Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë, kishin të paktën një “Ok”, të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni”.

Ai shkruan më tej se është një ditë e keqe për të shkruar këto, por pranon se ngushëllohet se i ka shkruar edhe në të gjallë të Agollit dhe megjithë bisedat e gjata telefonike me Sadijen besnike dhe të adhurueshme nga ana njerëzore, nuk mund të ndërroj as mendim, as gjykim dhe as bindje, që shqiptarët sapo varrosën, një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës që e la kaq prapa dhe e masakroi mizorisht Vendin tim.

Duke u ndalur në fjalën e Ramës për Agollin, Zheji e akuzon kryeministrit si hipokrit dhe i kujton sherret kur Rama ishte profesor te Artet dhe Agolli në krye të Lidhjes.

“Sigurisht njeriu bën shumë zig-zage në jetë, sepse jeta është e vështirë, duam sduam! Por normalisht mund të luhatesh siqoftë rreth nje boshti dhe të mëkatosh hera herës, por të lexosh kryeministrin, që është sot në majë të piramidës së shumë pushteteve, në krye të arkivolit të Agollit, të kap trishtimi. Të kap trishtimi, se edhe aty ku është, ay, kryeshefi, nuk thotë dot një të vërtetë të vetme! Ose të shkëlqejë me pak fjalë t’thjeshta si e lyp rasti. Por jo! Edhe në vdekje të Agollit, kërkon përmes shtirjes prej firauni të përvuajtur, të budallallepsë, budallenjtë”- shkruan Zheji.

Sipas tij, kryeministri dje ishte qaraman dhe shkrimtaruc, që mallëngjeu me hipokrizinë e tij perfekte, Sadijen dhe miletin në të zeza që ishte aty, por sigurisht jo Agollin e fjetur dhe aq më pak mua.

“Ishin vitet e largëta ’80. Kryeministri i sotëm do të mbronte diplomën me një pikturë ambicioze murale në katin e parë të shesh pushimit që bashkonte degën e Dramës me Artet Figurative. Ishte i emocionuar por edhe i trembur, sepse ishin vite të këqia dhe frika ishte e madhe. E gdhinim si dy shokë të mirë, deri në mëngjes dhe ai kuronte çdo detaj, ndërsa unë bëja rolin e “komisionit” mbikëqyrës të censurës që do të vinte. Dhe ja hodhëm komisionit me një hile artistësh, duke u përqendruar te natyra”- shkruan ai.

Zheji kujton se “Isha nën ndikimin e Walt Whitmanit, aso kohe dhe të kryeveprës së tij poetike “Fije bari”. Dhe kështu muralja e Edit u mbulua nga gjelbërimi, lulet, “fijet e barit” dhe ca të rinj të lumtur, pa kominoshe aksioni, pa pushkë zbori dhe pa shall të kuq, në kujtim të partizanëve. I vetmi mëkat ishte firma e autorësisë, në cepin e djathtë të asaj gjëje, “edi” me të vogla dhe me linja të spërdredhura, për të cilën, Mumtaz Dhrami dhe komisioni u tall sa mundi. Por Edvini i atëhershëm, sot Edi, ja hodhi paq, me sukses dhe pa telashe’.

Ai kujton se ” çdo natë që rrinim përpara pikturës së tij të zbehtë nga e keqja, nuk linim gjë pa thënë e pa sharë, për medioktitetin dhe censurën kriminale të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në krye të së cilës ishte gjithmonë Agolli, i ri asokohe, energjik, i pushtetshëm dhe i përkëdheluri i oborrit të Enver Hoxhës. Me Agollin, kryeministri i sotëm, ish-presor te Artet, u ndesh në një mbledhje maratonë gjatë viteve ’89. Madje përpara sherrit, më thirri për ndihmë. Duhet të ndihmonim me diskutimet tona edhe një film shumë të sulmuar televiziv të Mevlan Shanajt, që dridhej si purteka nga frika e Lidhjes dhe Agollit që pinte cingar’.

Si mesazh në fund Zheji shkruan “Dritëroit, si Kristian që jam, i uroj gjumë të qetë dhe takim paqësor në Botën Tjetër, me poetët e pushkatuar dhe të “Mjerët” që ikën nga kjo botë, më dhimbshëm dhe më pa bujë se qentë, që vriten sot rrugëve nga makinat e shpejta. Por nuk mund të tërhiqesha dot, përpara britmës që vjen nga përtej varri, i “Pluhurit të vërtetë të Yjeve Shqiptare”, që ranë në moçalin e zymtë të Shqipërisë.

Nëse ka të drejtë Zheji apo jo, gjykojeni vetë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu