“M’u zu fryma sot David”, dëshpërohet thellë nëna që futi djalin sot në kopësht

Kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë vijojnë me kushte skandaloze me më shumë se 40 fëmijë në grup, mungesë ngrohjeje dhe mbi të gjitha, ku duhet të kesh një mik të fortë për të regjistruar fëmijën.

Postimi i sotëm në Facebook i gazetares Gentiana Rreshka, është në fakt ulërima e të gjithë prindërve që në pamundësi për më mirë, janë të detyruar që t’i dergojnë fëmijët në këto kopshte.

“Davidi mamit m’u duk se dikush më kapi për fyti kur të mendova në një klase me 45 fëmijë të tjerë e sikur të ta ndjente zemra, ke nje javë që qan se s’do të shkosh”, shkruan ajo duke dhënë alarmin për numrin e madh të fëmijëve në një grup.

Postimi i plotë i gazetares

M’u zu fryma sot David, teksa me dokumentat e tua në dorë prisja të të rregjistroja në kopësht.

M’u zu fryma bir kur një gjysh para meje po ankohej e po shfaqte me zë e me gjeste mërzinë që kishte se nuk i kishin regjistruar nipin sepse disa të tjerë i kishte nis deputeti e vendet ishin zenë.

Davidi mamit m’u duk se dikush më kapi për fyti kur të mendova në një klase me 45 fëmijë të tjerë e sikur të ta ndjente zemra, ke nje javë që qan se s’do të shkosh.

U ndjeva e pafuqishme edhe e pashpresë, ku të kam lindur e ku po të rris, në një vend ku duhet mik për t’u rregjistruar në kopësht.

Qava dhe se desha veten sot David, sa në hak po të hyj, se ti mam s’ke as një centimeter vend ku të luash aty te lagjia, edhe fusha afër shtëpise është nën lupën e ujqërve që duan të ngrenë pallate.

Se ky vend David si me magji të zezë shndërron e shkatërron çdo gjë të mirë, prishen fusha për llac e tulla, priten pemë e gërryhen lumenj.

Kush ka faj bir do më pyesësh ti, mami ka faj dhe shumë mama e baba të tjerë që i lejojnë.

Po fëmijët e “atyre”, si rrijnë në çerdhe, si i kanë kushtet ato mam, me siguri jo 50 fëmije në klasë, as edukatore të lodhura, të paguara pak, jo mam jo, ato rrijnë rehat.

Mu nxi mëngjesi sot e ndjeva thikën në palcë kur pashë e ndjeva se ti po cënohesh, të drejtat e tua s’t’i përfill njeri.
Fale mamin zemër fale!

Teksa po ikja më vinte të mallkoja, të mallkoja me gjithë shpirt, po më kanë mësuar të kthej mallkimin në lutje dhe u luta: Zoti im bëje mirë këtë vend!.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu