Nëse ka një bisedë që e gjen kudo kohët e fundit është ajo për “Big Brother VIP”, me njerëzit që bëjnë analizat e tyre në lidhje me të gjithë banorët, sidomos për dy protagonistët, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin.
Megjithatë analizat vlejnë më shumë kur bëhen nga njerëz, sidomos personazhe, që janë të afërt me konkurentët e reality-t, kur lojën e tyre e vlerësojnë si duhet dhe mbi të gjitha, tregohen të sinqertë në atë që duan të thonë.
Kështu, së fundmi ka qenë Dalina Buzi që ka bërë një postim në rrjetin social Instagram, pikërisht për Olta Gixharin, teksa bashkangjitur me një foto me të që provon se njihen prej vitesh, tregon gabimet e lojës së saj në “BBV”, por edhe meritat që ajo ka në shtëpi.
Në foton që ajo ka me Oltën, Dalina shkruan se aktorja ka qenë dëshmitare në dasmën e saj, pra aq të afërta janë dhe gabimet që ajo rendit të aktores duhen parë me vëmendje. Buzi mendon se Gixhari ka gabuar në lidhje me publikun, duke e nënvlerësuar, po ashtu ka gabuar në lidhje me atë që kërkon nga kjo lojë dhe në strategjinë e përdorur ndaj Luizit.
Po ashtu ajo përpiqet që në një farë mënyrë të gjejë arsyet e gabimeve të aktores në lojë dhe nga ana tjetër, shpreson që veprimet e saj të kuptohen, duke e vlerësuar edhe për atë që i sjell formatit. Dalina e quan Oltën si “përballjen më të fortë” të Luizit, si “ekuilibrin” që i duhet shtëpisë, pra e quan të domosdoshme për atë që ka treguar dhe vazhdon të tregojë.










