Rama sot në Shkup, ja agjenda e planifikuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot do të vizitojë Shkupin, në kuadër të një turi ballkanik. Rama pas mbërritjes në Shkup në ora 11:00 do të takohet me kryeministrin nikoqir, Dimitar Kovaçevski, përcjell INA.

Sipas agjendës, më pas do të mbahet një takim dypalësh, në të cilin përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe delegacionet qeveritare nga të dyja vendet.

Delegacioni i kryesuar nga Kryeministri Rama përfshin Niko Peleshin, ministër i Mbrojtjes, Majlinda Duka, ministre shtetërore dhe kryenegociatore e Republikës së Shqipërisë, si dhe zëvendëssekretarja e Përgjithshme Elira Kokona. Në delegacionin e RMV-së të kryesuar nga kryeministri Kovaçevski janë zëvendëskryetarii i Parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministri i Drejtësisë Krenar Loga, si dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Në orën 12:00, është paraparë konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave Kovaçevski dhe Rama.

Rama më pas pritet të takohet me krerët dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera si dhe takimi me krerët e partive politike. Takimin me kryeministrin Rama e ka refuzuar kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami përmes një burimi brenda partisë së tij.

Pas Shkupit, kryeministri shqiptar vijon në Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë dhe Beograd, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse. Në Prishtinë Rama nuk do të pritet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa do zhvillohen takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca. Kurti tha se do të takohej pasi që do mbahej mbledhja e dy qeverive, e cila javë më parë u anulua njëanshëm nga kryeministri Rama.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha nga Ulqini se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin për të cilin lindi, për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se tashmë liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në këtë nismë.

Më 16 tetor të këtij viti, Tirana do të presë samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu