Ish-komandanti i UÇK-së dhe lideri i AAK-së, i cili ndodhet në arrest shtëpie në Francë, në pitje që autoritetet të vlerësojnë ose jo kërkesën për ekstradim nga Serbia, ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa si kukulla të Serbisë.
Haradinaj, në një status në profilin e tij në “Facebook”, ka dalë kundër vendimit të rifillimit të dialogut mes qeverisë kosovare dhe asaj serbe, pavarësisht tensioneve pas trenit.
“Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave, – shkruan Haradinaj. – Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd”.
Sipas Haradinajt, “të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin. Ndërkaq sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin tim, i porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi!”, – përfundon kreu i AAK-së.