Taravari: Mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve

Taravari, kandidati i opozitës shqiptare për postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur se ai shpreson të arrijë në këtë post përmes ndryshimeve në preambulën e Kushtetutës së vendit, duke përdorur një procedurë parlamentare.

Në një konferencë për media të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës në Tetovë, Taravari argumentoi se ndryshimi i Kushtetutës është i nevojshëm për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën aktuale, që është kusht integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian.

Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”, si dhe zgjedhjen e presidentit në të ardhshëm nga ana e Kuvendit, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare.

Ai ftoi që programi i tij të mbështetet edhe nga partitë tjera, e në veçanti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në pushtet.

Deklarata e tij vjen në momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.

Siljanovska-Davkova garoi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, të cilat i fitoi Stevo Pendarovski.

Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale do të dihet pas konventës së partisë më 2 mars.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se kryetar i saj, Ali Ahmeti të enjten më 22 shkurt do të njoftojë kandidatin e kësaj partie për president.

Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu