Nazim Halimi, aktivisti i dalluar i diasporës në SHBA sjellë porosinë e Republikanëve dhe DioGuardit për shqiptarët në Maqedoni

Nazim Halimi, veprimtari i njohur i çështjes shqiptare në SHBA ka sjellë mesazhin e Republikanëve dhe të kreut të Ligës Shqiptaro- Amerikane ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi se shqiptarët në këtë periudhë vendimtare politike dhe gjeostrategjike duhet të jenë të bashkuar dhe të vendosur në artikulimin e kërkesave të tyre kombëtare.

“Unë mendoj se duhet një unifikim i subjekteve dhe faktorëve të tjerë politik dhe shoqëror. Atëherë do të kemi përkrahjen e SHBA-ve. Ky unitet për çështje të rëndësishme siç barazia në këtë shtet kërkohet edhe nga lobisti ynë DioGuardi. Ne nuk duhet të vazhdojmë me rolin e lypsit, por të marrin pjesën që na takon në tokën tonë. Sepse kur je lyps, dihet çfarë lëmoshë mund të marrësh. Kjo sjellje duhet urgjent të ndërpritet dhe të vendoset me ngulm ajo që na takon si popull i barabartë në këtë shtet. Vetëm me unitet dhe me vendosmëri mund të arrihet qëllimi i caktuar, dhe nuk duhet të presim që dikush të na jap diçka, sepse pala tjetër asnjëherë nuk do të jap atë që nuk i konvenon”, ka theksuar për INA, veprimtari dhe aktivisti i Ligës Shqiptaro – Amerikane, Nazim Halimi.

Ai ka thënë se në agjendën e tij gjatë qëndrimit në vendlindje do të jenë takime të ndryshme me personalitete politike dhe të jetës publike në Maqedoni.

Ai si aktivist i dalluar në mbështetjen e çështjes kombëtare në Maqedoni ka shprehur pakënaqësinë për mungesën e përmbushjes së të drejtave shqiptare, pasi që në vitin 2001 gjithë shqiptarët u mobilizuan në përkrahje të UÇK-së.

“Ne menduam se lufta filloi që shqiptarët të jenë popull i barabartë me Kushtetutë si shtet i shqiptarëve dhe maqedonve dhe jo për një marrëveshje që ishte shumë e paqartë dhe që askund nuk i përmendte shqiptarët si etnitet por si komunitet mbi 20 për qind. Para se të arrihej kjo marrëveshje, udhëheqësia e UÇK-së ka qenë e informuar që të mos lëshohej pe për një marrëveshje të tillë, sepse kishim përkrahje të fuqishme nga SHBA që lufta të sjellë barabarsinë, që shqiptarët të jenë popull i barabartë me kushtetutë me maqedonët. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, kishte një zhgënjim të madh tek aktivistët tanë se nuk u arrit ajo për të cilën ne synuam. Dhe sot jemi dëshmitarë se çka po ndodhë me këtë, që edhe pas 15 viteve nuk është realizuar, edhe pse për ne është marrëveshje për faqe të zezë” siç e quajti kryetari i jonë i LQSHA dhe lobisti i çështjes shqiptare Joe DioGuardi”, theksoi veprimtari Halimi.

Ai thotë se tanimë fokusi i tyre është në aktivitete për të ndihmuar sado pak në zhvillimin ekonomik të trevave tona, kultivimin e projekteve të tjera kombëtare dhe përkrahjen e nismave që janë në të mirë të shqiptarëve. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu