Franca akuzon SHBA-në për shkelje të ligjit ndërkombëtar

Franca ka kritikuar operacionet ushtarake amerikane në Karaibe si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot tha të martën (11.11.) në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Kanada se Franca i ndjek ato me shqetësim. Në territoret franceze jashtë Francës, në Karaibe, jetojnë më shumë se një milion qytetarë francezë. Këta qytetarë mund të cënohen, nëse situata përshkallëzohet.

Sipas ushtrisë amerikane, deri më tani janë kryer të paktën 19 sulme ndaj anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe dhe pranë brigjeve të Paqësorit të Amerikës Latine, duke vrarë të paktën 76 persona. Zyrtarët të SHBA konfirmuan edhe vendosjen e aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford” në rajon. Tetë anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë luftarakë F-35 janë tashmë të stacionuar aty. Presidenti venezuelian Nicolás Maduro akuzon SHBA-në se po përdor forcat ushtarake për të tentuar ta rrëzojë atë nga pushteti.

Reagime nga vende të tjera

Si reagim pas sulmeve amerikane kundër anijeve të dyshuara për drogë, Kolumbia ka ndaluar shkëmbimin e informacionit të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Gustavo Petro njoftoi të martën në X se ishin lëshuar urdhra në “të gjitha nivelet” e shërbimeve të inteligjencës për të “pezulluar komunikimin dhe kontaktet e tjera me agjencitë amerikane të sigurisë”. Ky urdhër do të mbetet në fuqi për sa kohë që vazhdojnë sulmet me raketa ndaj anijeve.

Siç raportohet nga CNN, duke cituar burime të brendshme, edhe Britania e Madhe ka pezulluar shkëmbimet e informacioneve të inteligjencës me SHBA-në në lidhje me anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe për të shmangur përfshirjen në sulme të mundshme. Qeveria britanike deri më tani ka refuzuar ta komentojë këtë.

“Ne nuk komentojmë për çështje sigurie ose inteligjence”, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer. Ai theksoi se SHBA-të ishin “partneri më i ngushtë i Britanisë në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu