Gonzalo Garcia ka shprehur vendimin e tij të palëkundur për t’u larguar nga Real Madrid gjatë afatit të ardhshëm kalimtar dimëror, nëse nuk i rritet minutazhi në fushë, një kërkesë e qartë që buron nga dëshira e tij për t’u afirmuar dhe për të synuar një vend në Kupën e Botës 2026.
Sulmuesi i ri spanjoll, pavarësisht paraqitjeve premtuese, ka grumbulluar vetëm 108 minuta lojë në nëntë ndeshje këtë sezon me skuadrën e parë të “Los Blancos”.
Situata ka shkaktuar pakënaqësi në rrethin e tij, duke zbuluar ndjenjën se është nënvlerësuar nga trajneri Xabi Alonso, sidomos pas paraqitjes së tij mbresëlënëse në Kupën e Botës për Klube.
Real Madrid gjendet përballë një sfide të papritur në përbërjen e skuadrës: Gonzalo Garcia, produkt i akademisë së klubit, beson se është keqkuptuar nga stafi teknik dhe se nuk i janë dhënë mundësitë e nevojshme për të shfaqur potencialin e tij.
Pas shpërthimit të tij me ekipin rezervë dhe ngritjes sensacionale në Kupën e Botës për Klube, ku u bë golashënuesi më i mirë i turnout, klubi madrilen shfaqi besim të madh ndaj tij dhe, pas suksesit, vendosi t’i rinovonte kontratën deri në vitin 2030.
Megjithatë, roli i tij në ekipin e parë nuk është konkretizuar. Real Madrid, me një sulm të mbushur me yje dhe konkurrencë të fortë, e ka mbajtur futbollistin e ri në një rol zëvendësuesi, gjë që e ka shtyrë Gonzalo Garcian të vendosë të mos presë më gjatë.
Ai beson se paraqitja e tij në Kupën e Botës për Klube i ka fituar të drejtën për të ndjekur synimin e vet: të jetë pjesë e kombëtares së Spanjës në Botërorin 2026.
Për këtë arsye, Gonzalo Garcia po shqyrton mundësitë e huazimit ose transferimit, ku mund të ketë rol të menjëhershëm dhe të rëndësishëm.
Ndërkohë, Real Madrid po konsideron opsionin e një largimi të përkohshëm ose të përhershëm, në mënyrë që lojtari të mos ngecë në zhvillimin e tij profesional./Telegrafi/










