Konjufca në prag të afatit për formimin e qeverisë, ja çfarë pritet

Mandatarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i kanë mbetur më pak se një javë për të bërë përpjekjen për formimin e Qeverisë së re dhe për të thirrur seancën e votimit të saj. Nga Lëvizja Vetëvendosje, para disa ditësh kanë deklaruar se është diskutuar për datën e mbajtjes së seancës, por ende nuk është marrë vendim se kur do të thirret ajo. Ndërkohë, ish-opozita ka deklaruar se nuk do të votojnë as Qeverinë e Konjufcës. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani të martën është shprehur se ende nuk dihet se kur do të thirret seanca për formimin e Qeverisë, por ka theksuar se mandatari i dytë, Glauk Konjufca, është ende brenda afatit kushtetues. “I mandatuari i dytë për kryeministër nga LVV është akoma brenda afatit kushtetues, dhe varet nga deputetët dhe Kryesia se kur do të ftohet seanca. Shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të parë rezultatin.

Siç e dini, seanca duhet të ftohet brenda afatit kushtetues”, ka deklaruar Osmani. Ajo ka paralajmëruar se, si pasojë e bllokadës politike, Kosova rrezikon të humbasë gjithsej rreth 1 miliard euro. “E kam ngritur edhe çështjen e planit të rritjes, që kap vlerën mbi 800 milionë euro, si dhe çështjen e marrëveshjeve me Bankën Botërore. Tani, në fund të dhjetorit janë 100 milionë euro, por janë edhe mbi 200 milionë të tjera që mund të humbasin në fillim të vitit, nëse nuk ratifikohen”, ka thënë ajo. “Pra, po flasim për 1 miliard euro, që është rreth një e katërta e buxhetit të Kosovës. Kosova nuk duhet t’i humbasë këto mjete, por t’i përfitojë për hir të qytetarëve.” Presidentja Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën si kandidatin e radhës të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re. Ish-opozita ka bërë të ditur se nuk do ta votojë as Konjufcën për formimin e Qeverisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu