Prokuroria Publike ka formuar lëndë për tetë personat që ishin pjesë e kallëzimit penal nga Policia Financiare për keqpërdorime në dhënien e lejes, raportit teknik të rrejshëm dhe mbikëqyrjes së rrejshme për një kompani nga Gllumova me vlerë rreth 1,8 milion euro. I dyshuari kryesor është ish kryetari i Sarajit, njëherësh deputet i BDI-së, Blerim Bexheti. Për momentin nga Prokuroria nuk kanë bërë kërkesë për masa për të dyshuarit.
“Është formuar lëndë dhe i është ndarë prokurorit publik për veprim. Deri në këtë moment nuk ka kërkesë për masa të paraburgimit. Kallëzimi nga Policia Financiare është dorëzuar në procedurë të rregullt dhe menjëherë është marrë në shqyrtim”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
I dyshuari i parë, Blerim Bexheti, thotë se kallëzimi penal është porositur drejtpërdrejt nga kryeministri Hristijan Mickoski për të bërë siç thotë presion ndaj BDI-së, me qëllim zgjerimin e shumicës parlamentare.
“Kallëzimi penal i ngritur nga policia financiare është tërësisht i pa bazuar dhe për këtë arsye ne do të ngremë procedura përkatëse kundër drejtori Sllobodan Ivanovski dhe zv.drejtorit Ylber Imeri si dhe dy personave të tjerë që së bashku si një bandë e organizuar po implementojnë këtë orkestrim të persekutimit politik. Ne do të dëshmojmë përmes provave që kemi se urdhrat vijnë direkt nga kryeministri Mickoski”, tha Blerim Bexheti – Ish kryetar i Sarajit.
Siç thuhet në kallëzimin e policisë financiare, për parcelën ku është vendosur kompania “Azra Idriz SHPK” nuk ka pasur plan të detajuar urbanistik dhe duke tejkaluar kompetencat, të dyshuarit kanë përgatitur plan të certifikuar për leje për ndërtim me përmbajtje të rrejshme, përfshirë edhe llogarinë tatimore për mbulimin financiar të tokës ndërtimore në kundërshtim me ligjin. Inxhinieri ka realizuar kontroll teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me të dhëna të rrejshme. /Alsat.mk










