Nga sot pensioni bazë arrin 150 euro, rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar një rritje pensioneve, duke e cilësuar këtë si rritjen më të lartë të realizuar ndonjëherë nga një qeveri në Kosovë.

Nga sot rriten pensionet në Kosovë: Pensioni bazik bëhet 150 euro, dyfishohen edhe mbështetjet për kategori të tjera

Qytetarët pensionistë të Kosovës tash e tutje do të marrin pensione më të larta, pasi Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se rritja e re hyn në fuqi menjëherë me procesimin e pagesave të këtij muaji.

Sipas tij, kjo është rritja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga një qeveri në vend.

Murati ka bërë të ditur se Pensioni Bazik, i cili në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti ishte 90 euro, tashmë është rritur në 150 euro në muaj, që nënkupton një ngritje prej 60 euro, ose 67% përgjatë këtij mandati qeverisës.

“Pensioni Bazik që e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje në 150 euro/muaj. Pra, 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Qeveria për pensionistët”, ka deklaruar ministri në detyrë, duke e paraqitur këtë vendim si një prej arritjeve kryesore të Qeverisë Kurti në prag të zgjedhjeve.

Sipas tij, rritje të konsiderueshme do të kenë edhe kategori të tjera të ndjeshme të shoqërisë. Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat më herët ishin 75 euro, nga sot bëhen 150 euro/muaj, duke u dyfishuar plotësisht – një rritje prej 100% brenda mandatit.

Përveç këtyre, është bërë e ditur se është rritur edhe mbështetja financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe janë rritur pensioni invalidor dhe pensioni familjar.

Këto masa vijnë në një periudhë të ndjeshme politike, teksa qeveria në detyrë po i paraqet qytetarëve vendimet që i konsideron si më të rëndësishme për mirëqenien sociale.

Rritja e pensioneve pritet të prekë dhjetëra mijëra qytetarë, për të cilët shtesa prej këtij muaji paraqet një ndihmë të konsiderueshme në përballimin e kostos së jetesës, e cila vazhdon të mbetet e lartë në vend.

Statistikat e fundit të Indeksi i tërësishëm çmimeve të konsumit në Kosovë u rrit në një mesatare prej 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Inflacioni mujor arriti në 0.6% në tetor 2025.

Rritja e çmimeve përfshin pothuajse të gjitha grupet e konsumit. “Rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga disa kategori të konsumit: pushimet e organizuara (23.7%), biletat e fluturimeve (21%), energjia elektrike (20.3%), pemët (15.3%), kafe, çaj dhe kakao (13.1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (12.4%), mishi (12.3%) dhe shërbimet hoteliere (9%)”./Monitor


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu