Haradinaj: Serbia dhe Kurti, po e përdorin Asociacionin për ta penguar marrëveshjen e madhe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, beson se Asociacioni po paraqitet si çështje problematike dhe si “mbulesë”, për marrëveshjen e madhe nga kryeministri i Kosovës.

Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, Haradinaj theksoi se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi mund të arrihet vetëm më ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si garanci e plotë në këtë proces.

Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet. Prandaj të gjithë ata që Asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te Asociacioni, por duan që Asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-kryeministri thotë se, Kosova duhet të mbledhë potencialin e saj intelektualë dhe të vendosë theksin tek arritja kryesore, që sipas tij është marrëveshja finale me Serbinë.

“Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan. Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, thekson ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu