Madhështia e shqiptarëve të Ohrit: Market i hapur falas për çdo nevojtar gjatë muajit të Ramazanit

Në hyrje të Ohrit, bujaria shqiptare ka marrë përmasat e një akti të jashtëzakonshëm humanitar, duke hapur dyert e një marketi që do të shërbejë falas për të gjithë ata që kanë nevojë përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, përcjell INA.

Në marketin “Pazari i Gjelbër”, i pozicionuar në Bulevardin Turistike (tek Bostani i Madh), çdo qytetar që e ka të vështirë të sigurojë ushqimet bazë, është i mirëpritur të hyjë dhe të marrë atë që i mungon në shtëpi. Ky projekt unik është konceptuar që ndihma të merret me dinjitet të plotë, pa pyetje dhe pa asnjë ndjenjë turpi, duke siguruar që çdo familje ta ndjejë bekimin e këtij muaji, përcjell INA.

Përveçse një pikë furnizimi për nevojtarët, ky market është shndërruar në një qendër të madhe solidariteti ku shqiptarët e Ohrit po tregojnë forcën e tyre të bashkimit. Nisma fton të gjithë ata që kanë mundësi ekonomike që të bëhen pjesë e këtij zinxhiri mirësie duke dhuruar pako ushqimore për të tjerët. Sipas organizatorëve, qëllimi është që askush të mos ndihet i vetmuar apo i harruar, duke dëshmuar se kur shqiptarët bëhen bashkë, asnjë sfidë nuk është e papërballueshme. Ky market do të mbetet i hapur dhe në shërbim të komunitetit për 30 ditë me radhë, si një simbol i gjallë i sakrificës dhe dashurisë vëllazërore./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu