Tensione mes Serbisë dhe Maqedonisë

Tensionet në mes Serbisë dhe Maqedonisë kanë nisur përsëri pasi këta të fundit kanë përgjuar bisedat e një numri të madh përfaqësuesish serbë.

Ambasadorja maqedonase në Serbi, Vera Jovanovska, është ftuar sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme serbe për të shpjeguar përgjimin e diplomatëve serbë, gazetarëve dhe të përfaqësuesve serbë në Maqedoni, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, nga Jovanovska është kërkuar shpjegim prej autoriteteve shtetërore maqedonase rreth asaj se si bisedat e përgjuara janë bërë publike.

Kryeministri Aleksandar Vuçiq ka thënë se “është e turpshme që në Maqedoni janë dhënë transkriptet e bisedave të përgjuara të liderit të partisë serbe, diplomatit të ambasadës serbe dhe gazetarit nga Beogradi”, ndërsa ka theksuar se beson që këtë e ka bërë ndonjë shërbim perëndimor. Ai ka pyetur se cilat janë ato media që publikojnë biseda të përgjuara dhe ka thënë se në Serbi një gjë e tillë nuk ka ndodhur derisa ai ka qenë kryeministër. “Në Serbi bisedat e përgjuara nuk janë publikuar në media gjatë viteve të kaluara, sidomos ato pas vitit 2012. Është e sigurt që ka, në kuadër të ligjit, por jo në media. Shtetet e përgjegjshme sillen në mënyrë të përgjegjshme”.

Ndryshe, portali Krik ka patur qasje te dokumentet e shërbimeve maqedonase të inteligjencës, mes të cilave janë edhe transkriptet e bisedave të përgjuara mes përfaqësuesit të BIA-s dhe këshilltarit në ambasadën e Serbisë në Shkup Goran Zhivaljeviq, si dhe deputetit në parlamentin e Maqedonisë dhe kryetarit të Partisë demokratike serbe, Ivan Stoilkoviq. Dëshmitë e grumbulluara, siç pohon agjencia, tregojnë se si “me ndërmjetësimin e Zhivaljeviqit dhe Stoilkoviqit në muajin mars të vitit 2017, gazetari komentuesi ushtarako-politik dhe deputeti i parlamentit nga radhët e partisë pushtetare SNS, Mirosllav Lazanski, është sjellë në Maqedoni me qëllim që realizojë aksione propagandistike”. Qëllimi ka qenë, siç përshkruhet, të promovohet politika ruse dhe Gruevski, por edhe të luftohet kundër futjes së Maqedonisë në NATO. Dokumenti zbulon se Zhivaljeviq i ka dhënë instruksione Stoilkoviqit dhe e kanë orientuar Llazanskin se me kënd duhet të bisedojë dhe me cilat tema të merret. Transkriptet e bisedave të përgjuara tregojnë se Stoilkoviq në Shkup ka brifuar Llazanskin në lidhje me kolumnat të cilat duhet t’i publikojë në “Politika” pas kthimit në Beograd. Në bisedë për KRIK, Llazanski ka thënë se në Maqedoni ai ka bërë vetëm punën e gazetarit. “Unë nuk jam shërbim, as nuk jam zëdhënës i shërbimit, unë atje poshtë nuk kam qenë si i zgjedhuri i popullit, por vetëm si gazetar i “Politika”-s dhe si dikush që ka punuar në televizionin e Republikës Serbe”, ka thënë ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu