Dhjetë persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
I vdekur është edhe sulmuesi. Policia çeke ka thënë ai është eliminuar, por u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë nëpër shtëpi.
“Janë 11 persona të vdekur, përfshirë sulmuesin, disa të plagosur rëndë, 4-5 të plagosur lehtë. Numrat mund të ndryshojnë”, ka thënë emergjenca përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Ministri i Brendshëm çek Vit Rakushan, ka thënë për mediat çeke se ka të vdekur, por nuk mund të spekulojë për shifrën përfundimtare.
Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.










