I riu nga Ohri, Marko Tomoski fitoi medaljen e bronztë në garën ndërkombëtare për matematikë për të rinj, International Youth Math Challenge, përcjell TV21. Ai, vetëm 12 vjeç, në kategorinë për matematikantë të rinj deri në 16 vjeç, arriti të fitojë këtë çmim në një garë të fortë me 9.800 pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Me 23 pikë të fituara, Marko u rendit mes 7% më të mirëve të gjithë pjesëmarrësve dhe mes 60% më të mirëve të finalistëve, një rezultat që merr edhe më shumë peshë duke marrë parasysh se garonte me nxënës deri në katër vjet më të mëdhenj se ai.
Me këtë rezultat, ai fitoi edhe vendin e dytë kombëtar për Maqedoninë, duke konfirmuar se është një nga matematikantët më premtues të rinj në vend.
Marko tashmë po përgatitet intensivisht për një sfidë të re – pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që do të mbahet në Ashgabat, Turkmenistan, nga 8 deri më 13 prill, ku përsëri do të përfaqësojë Maqedoninë në arenën botërore.
Talenti i tij u vu re edhe vitin e kaluar, kur u shpall kampion kombëtar në matematikë për klasën e 6-të në Maqedoni, një sinjal i qartë se përpara tij qëndron një e ardhme e ndritshme.
“Matematika është pasioni im dhe sfida më e madhe. Dua të përparoj, të mësoj nga më të mirët dhe me krenari të përfaqësoj Maqedoninë. Kjo është vetëm fillimi”, thotë ai.











