Një ditë më parë, një 12-vjeçar u mbyt në liqenin e Mëzezit, pasi u kthye akulli mbi të cilin po rrëshqiste. Ndonëse motra e tij 15-vjeçare nxitoi për ta shpëtuar, duke rrezikuar edhe vetë jetën, përpjekja e saj ishte e kotë.
Babai i 12-vjeçarit, Fatos Gurakuqi, i cili ndodhet në burg kërkoi të merrte pjesë në varrimin e të birit, i cili ishte vendosur në orën 12:30 të ditës së sotme.
Por kërkesa e avokatit të Gurakuqit është paraqitur pranë autoriteteve përkatëse në orën 12:00, çka e ka bërë të pamundur realizimin e kësaj kërkese.
Autoritetet e burgut thonë se kërkesa e paraqitur nga avokati i Fatos Gurakuqit ishte e vonuar, ndërsa theksojnë se nuk u paraqit nga ana e tij dokumentacioni përkatës, pra një certifikatë familjare.
Sakaq, nga burgu ku Gurakuqi vuan dënimin, përmendet edhe vepra për të cilën ai është dënuar, “krim në familje”, çka shihet edhe si një faktor risku, dhe pengon lejimin e tij për të takuar familjen.