Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim ndaj 20 personave të dyshuar për mashtrime tatimore, pastrim parash dhe dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej 4.8 milionë eurosh.
Në kuadër të një aksioni të koordinuar, të zhvilluar në 16 lokacione në mbarë Maqedoninë, hetuesit me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë kryer bastisje, gjatë të cilave janë sekuestruar dokumente fiktive, mjete financiare, armë dhe vula të rreme të personave juridikë. Të dyshuarit janë privuar nga liria.
Sipas Prokurorisë, grupi kriminal është formuar gjatë vitit 2023 nga një shtetas serb, pronar dhe drejtues i dy kompanive. Në aktivitetet e paligjshme kanë qenë të përfshirë edhe dy zyrtarë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) – Drejtoria Rajonale Shkup, si dhe disa pronarë dhe menaxherë kompanish nga Shkupi dhe Gjevgjelia, deri në vitin 2025.
I dyshuari kryesor ka shmangur pagesën e tatimit në vlerë prej 11.593.403 denarësh duke paraqitur të dhëna të pasakta në deklaratat tatimore. Të dyshuarit e tjerë, me ndihmën e zyrtarëve të DAP-it, kanë paraqitur kërkesa të rreme për kthim të pabazuar të tatimit për persona juridikë jorezidentë, me ç’rast buxheti është dëmtuar edhe për 31.175.168 denarë.
Të përfshirët dyshohen edhe për pastrim parash, pasi mjetet financiare janë transferuar dhe tërhequr në para të gatshme me qëllim të fshehjes së origjinës së tyre të paligjshme.
Provat e deritanishme tregojnë për keqpërdorime të shumta të pozitës zyrtare nga të punësuar në DAP, përfshirë edhe persona në pozita të larta drejtuese. Si pasojë e këtyre veprimeve, buxheti i shtetit është dëmtuar për të paktën 162.980.076 denarë.
Prokurori publik ka vlerësuar se ekzistojnë kushte për caktimin e paraburgimit për 10 persona. Për tetë prej tyre është kërkuar paraburgim nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, ndërsa dy persona ndodhen tashmë në paraburgim në një rast tjetër që lidhet me keqpërdorime në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi. Për dhjetë të dyshuarit e tjerë janë propozuar masa sigurie, përfshirë ndalimin e ushtrimit të detyrave zyrtare në DAP./INA/










