5 vendimet e para që do t’i ndërmarrë Kurti në mandatin e ardhshëm

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditura pesë vendimet e para që pritet të ndërmerren nga Qeveria në mandatin e ardhshëm, me fokus në stabilitetin ekonomik, mbrojtjen e standardit jetësor dhe mbështetjen e kategorive të ndjeshme shoqërore.

Vendimi i parë parashikon miratimin e buxhetit rekord prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, i cili, sipas paralajmërimeve, do të orientohet drejt zhvillimit ekonomik, investimeve publike dhe rritjes së mirëqenies sociale.

Si hap i dytë, Qeveria do të procedojë ligjin e ri për çmime tavan, me qëllim frenimin e abuzimeve të tregtarëve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve në treg.

Në mesin e prioriteteve është edhe ndryshimi dhe plotësimi i ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët përfitojnë beneficione, duke synuar përfshirje më të drejtë dhe aktive të tyre në tregun e punës.

Po ashtu, Kurti ka paralajmëruar miratimin e vendimit për pagesën e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, që do të zbatohet që në fillim të vitit, si masë për përmirësimin e standardit të tyre ekonomik.

Vendimi i pestë lidhet me miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh. Kjo pako përfshin mbështetje të njëhershme financiare për pensionistët, fëmijët përfitues të shtesave, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rikthimin e skemës për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje përmes subvencionimit të faturave të energjisë.

Sipas tij, këto masa synojnë forcimin e stabilitetit ekonomik, uljen e presionit të inflacionit dhe rritjen e mbrojtjes sociale për qytetarët e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu