6 fitore radhazi, vendi i dytë dhe mbrojtja më e mirë: Interi është anti-Juventus

Çdo gjë ndryshoi mbrëmjen e 18 shtatorit, kur fitorja ndaj Tottenham erdhi në minutën e 92-të. Dhe vetëm tri ditë pas disfatës turpëruese kundër Parmës, Vecino i dha fitoren Interit në ndeshjen e dytë të fazës në grupe të Ligës së Kampionëve.

Që atëherë, Interi i Spallettit duket se ka mësuar nga tronditja e fillimit të sezonit, duke marrë edhe gjashtë fitore radhazi në kampionat. Këto triumfe kanë ardhur me pragmatizëm (ndaj Fiorentinës dhe SPAL), të tjerët “klinikisht” (ndaj Sampdorias dhe në derbin e Madoninës), ndërsa nuk kanë munguar edhe ato bindës në planin e lojës, si kundër Cagliarit dhe sidomos mbrëmë, në “Olimpico”, ndaj Lazios.

Kundër bardhekaltërve, në fakt, ndoshta pamë Interin më të mirë të këtij sezoni: të aftë për të shkatërruar një konkurrent direkt për një vend në Ligën e Kampionëve, veçanërisht në pjesën e parë, kur Lazio e pa veten më në vështirësi se kurrë.

Edhe një herë, “lokomotiva” që tërheq “vagonët” zikaltër është kapiteni Mauro Icardi (realizoi dopietë). Sulmuesi argjentinas, më në fund është bërë i njohur edhe në nivelin europian. Spikati edhe Marcelo Brozovic, i cili, përveç golit ndaj Lazios, tregoi se është një katalizator në “dhomën e kontrollit” të lojës zikaltër.

E gjitha kjo, pa harruar soliditetin e paprecedentë mbrojtës, duke pasur parasysh se Interi aktualisht ka pësuar vetëm 6 gola në 10 javë kampionat. Më pak se çdo ekip tjetër në Seria A, duke përfshirë edhe Juventusin.

Kjo është arsyeja pse në këtë kampionat, Interi po e përvijon veten dukshëm si rivali i vetëm për titull i Juventusit. Dhe jo vetëm për lidhjen me vendin e dytë aktualisht, që e bashkëndan me Napolin.

Në javët e ardhshme, Interi duhet të njoftojë nënshkrimin me Giuseppe Marotta, drejtues i sprovuar në Seria A, që vjen nga Juventusi pas shtatë titujsh kampioni radhazi. Një hap i mëtejshëm, që përpiqet të kthejë zikaltrit në krye të futbollit italian, por pa nisur me proklamime të mëdha.

Të qarta në këtë drejtim janë fjalët e kapitenit Mauro Icardi, menjëherë pas Lazio-Inter 0-3, të cilat e kanë shuar entuziasmin e të gjithë mjedisit zikaltër: “Ne anti-Juve? Jo, kemi ende disa hapa për t’u rritur”. Sidoqoftë, ky Inter, të paktën për momentin, me të vërtetë duket në rrugë të drejtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu