60 autobusë nga Kosova nisen drejt sheshit “Skënderbej” , kalimi në Rrugën e Kombit pa pagesë për 24 orë

Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë ditën e premte. Kjo vjen pasi nesër, 17 tetor, ora 17:00 sheshi Skënderbej, Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Protestë e ngjashme e organizuar nga veteranët e UÇK u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai theksoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.

Ndërkohë pritet të marrin pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi një ditë më parë se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj, ndërsa PD ka refuzuar pasi nuk duan të jenë në krah të Ramës, të cilin e akuzojnë se ka goditur pas shpine Kosovën.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu