Në fokus të opinionit publik këto ditë është zgjedhja e drejtorit të ri të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), një pozitë me rëndësi kyçe për rregullimin dhe zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike në vend.
Sipas informacioneve të TV21, në konkursin aktual janë paraqitur gjithsej nëntë kandidatë. Të martën, Komisioni për përzgjedhje do të bëjë seleksionimin fillestar dhe do të konstatojë se cilët prej kandidatëve i plotësojnë kushtet ligjore për të vazhduar në fazën e radhës të procedurës. Kandidatët që do ta kalojnë këtë fazë do të ftohen për intervistë.
Procesi po ndiqet me interes të shtuar nga publiku, duke pasur parasysh se pozita e drejtorit të AEK është me rëndësi strategjike. Agjencia ka rol të rëndësishëm në rregullimin e tregut të telekomunikacionit, mbikëqyrjen e operatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme, si dhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe kompanive.
Sipas informacioneve të siguruara nga TV21, mes të paraqiturve ka edhe kandidatë që nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e parashikuara. Po ashtu, në opinion rikthehet çështja e integritetit të procedurës, duke pasur parasysh se në konkursin e kaluar, i cili u anulua, disa media publikuan informacione për kandidatë me certifikata të falsifikuara për njohjen e gjuhëve të huaja.
Pritjet janë që këtë herë procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me kriteret ligjore, me qëllim që në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme rregulluese në vend të zgjidhet një drejtues profesional dhe me kredibilitet.










