Tre të rinj fyen Merjemen dhe Isain (a.s) gjykatësja i dënon në një mënyrë të pazakontë

Një gjykatëse e krishterë nga Libani ka dhënë një dënim të pazakontë për tre muslimanë të rinj, pasi u shpallën fajtorë për fyerjen e Marisë (Merjemes), nënës së Jezusit/Isait (paqja qoftë mbi ta).

Joceline Matta urdhëroi të pandehurit që të memorizonin vargje nga një kapitull i Kur’anit i quajtur ‘Ali-Imran’. Ajetet ishin pikërisht ato që përmendin Isain dhe Merjemen.

Matta vuri në dukje respektin e madh të Islamit për Merjemen që ka një kapitull të tërë të dedikuar për të. Gjykatësja donte t’u mësonte të rinjve rreth Merjemes përmes këtij dënimi të pazakontë.

“Ligji është shkollë, e jo vetëm një burg”, tha ajo.

Kryeministri libanez përshëndeti dënimin duke thënë se ishte një mënyrë e shkëlqyeshme për të krijuar mirëkuptim midis dy feve:

Në vijim janë disa vargje rreth Marisë të përmendur në Kur’an në kapitullin ‘Aal-Imran’:

3: 42. (Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.

3: 43. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!”

3: 44. Këto janë lajme të fshehta, që po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyredo të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.

3: 45. (Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut.

3: 46. Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët”.

3: 47. Ajo tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!” – “Kështu – tha (engjëlli) – Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” -dhe ajo bëhet.”

3: 48. (Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin

3: 49. dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

3: 50. Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni!

3: 51. Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!”

Fyerja e Merjemes dhe Isait (a.s) është një mëkat i rëndë në Islam dhe mund të shpie deri te mosbesimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu