Prej disa kohësh në median shqiptare është aluduar fort në lidhje politikanët shqiptar që Donald Lu ka kërkuar të arrestohen.
Deri më sot është folur gjatë për përplasjen mes ish-prokurorit Adriaktik Llalla dhe ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu.
Pas përfundimit të mandatit të Llallës, ish-prokurori deklaroi se Donald Lu i kërkoi arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion, por pa thënë asnjë emër.
Në Opinion, Llalla tregoi historinë e takimit privat që pati me ambasadorin në zyrë, tha se i ishte bërë presion për Bankers Petroleum, e quajti sorosist, e akuzoi për shantazh por emrin e politikanit të shënjestruar nga ambasada amerikane e mbajti për vete.
Pyetjes nëse ky politikan ishte Sali Berisha, Llalla nuk i dha përgjigje, duke lënë hapësira për aludime, shkruan Lapsi.al.
Ndërkohë vetë Lu gjatë një interviste në Opinion u shpreh se të gjitha qëndrimet e tij, janë qëndrimet e departamentit amerikan.
Por emrin e politikanit që iu kërkua të arrestohej nga ambasada amerikane, ish Prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri.
Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
“…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, Kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”.
Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Europian, thotë Llalla, i cili vijon më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”.
Debati duket se ka qenë i ashpër, pasi Llalla, në letrën drejtuar Kongresit, shkruan: “Prokurori i Përgjithshëm theksoi se kërkesa (e ambasadorit) ishte jo logjike dhe se, arrestimi i zyrtarëve të lartë, pa prova, rrezikon të sjellë destabilitet politik dhe social”. /albeu