Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiç ka bërë një deklaratë të fortë, sa i takon dialogut Kosovë –Serbi. Në një intervistë për gazetën “Vreme”, Jeremiç deklaroi se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi kanë rënë dakord për këmbim territoresh.
Por plani i tyre nuk u realizua dhe shkak janë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se në takimet e tyre në Paris, më pas në New York dhe në fund në Bruksel u diskutua për ndryshim të kufijve, por autoritetet amerikane thanë se plani ishte i papranueshëm.
“Vuçiç ka shkuar një hap më tej dhe ka ofruar këmbim të territorit, që në këtë paketë përveç ulëses në OKB, Kosovës t’i takojnë komunat në jug të Serbisë, dhe Thaçi u pajtua me këtë.Problemi lindi kur aktorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të, thanë se në parim është i papranueshëm çdo ndryshim kufijsh, qoftë edhe nëse të dy palët pajtohen për këtë, sepse kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, i cili do të mund të zbatohej edhe diku tjetër në Ballkan,”- u shpreh Jeremiç.