Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, duke komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se, nëse Kroacia dëshiron luftë diplomatike, atë edhe do ta ketë, ka thënë se përdorimi i fjalëve të tilla nuk është i mirë dhe se Serbia e Kroacia nuk janë të njëjta sepse askush në Zagreb nuk ka dhënë deklarata të tilla siç ka dhënë ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin e as që e ka djegur ndokush flamurin serb në Parlament.
Plenkoviq ka thënë se ende nuk ka biseduar me presidenten e vendit, Kolinda Grabar Kitaroviq në lidhje me masat e reja të mundshme ndaj Serbisë, pasi që Beogradi, si kundër-masë, e ka shpallur ministri kroat të Mbrojtjes, Damir Krstiçeviq të padëshirueshëm në vend, transmeton Koha.net.
Kjo masë ka ardhur si reagim ndaj vendimit të Kroacisë që t’ia ndalojë hyrjen në vend ministrit serb Vulin.
“Përdorimi i fjalës luftë, qoftë në mënyrë diplomatike apo tjetër, nuk është mirë. Askush nga Kroacia nuk ka dhënë deklarata si të Vulinut, askush nga Kuvendi kroat nuk e ka përdhosur flamurin serb, kjo do të ishte e pamundur… Varianti se jemi të njëjtë nuk qëndron. Në këtë tregim nuk jemi të njëjtë, nuk kemi qenë as në të ’90-at, e as që do të jemi në të ardhmen”, tha Plenkoviq, raporton mediumi serb N1.
Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Jashtëm serb, Ivicva Daçiq, i cili tha se “kjo që po e bën Kroacia është budallallëk” dhe shtoi se “është e vërtetë se s’jemi të njëjtë, sepse Serbia s’ka qenë në anën e Hitlerit dhe as ka kryer Holokaust ndaj hebrenjve”.
“Nuk jemi të njëjtë, sepse mendojmë se kjo që po bën Kroacia është budallallëk i pastër, dhe se është më mirë që të merremi me zhvillimin e marrëdhënieve tona sesa të bëjmë luftë diplomatike. Edhe Plenkoviq i di të gjitha këto, por mendon se këto i sjellin poenë politikë. Dhe kjo është për keqardhje”, tha Daçiq për N1.
“Është e saktë që s’jemi të njëjtë, ne s’kemi qenë në anën e Hitlerit, s’kemi kryer Holokaust ndaj hebrenjve dhe kroatëve, nuk i kemi detyruar kroatët të bartin shenja siç janë detyruar serbët dhe hebrenjtë t’i bartin gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë me shirita të verdhë e serbët të kaltër”, u shpreh më tej Daçiq, i cili është në një vizitë në Indi.
Shef i diplomacisë serbe tha edhe se nuk jemi të njëjtë me kroatët sepse “Serbia nuk i mohon krimet, por i dënon ato”.