Për shumë persona emri i Nicolas Berggruen është një emër i padëgjuar dhe që nuk u thotë asnjë gjë. Ai është me origjinë të largët shqiptare dhe ka një pasur me vlerë 2 miliard dollarë, sipas “Forbes”.
Mirëpo, edhe pse kaq shumë i pasur, ai nuk ka një shtëpi ku të jetojë.
Berggruen ka lindur në Paris në vitin 1961 dhe rrënjët e tij shqiptare nisin që nga i stërgjyshi Moisi Moisiu, një tregtar i pasur nafte në Kavajë.
Ky i fundit pati një djalë, aktorin Aleksandër Moisiu, i cili u zhvendos në moshë të re në Vjenë ku u njoh me vendasen Marian. Nga ky çift lindi Bettina, njëkohësisht edhe mamaja e Nicolas Berggruen.
Nicolas është themelues dhe president i “Berggruen Holdings” një kompani private investitore dhe “Berggruen Institute”. Ai gjithashtu është bashkëthemelues i “Huffington Post” të “WorldPost”, media gjigante e dedikuar problemeve globale.
Investimet e tij janë mjaft të diversifikuara duke përfshirë nga pasuritë e patundshme, aksionet, bono thesari e shumë të tjera.
Nuk mungojnë as afrimet në politikë për Nicolas Berggruen. Ai ka sponsorizuar disa nga fushatat e demokratëve amerikanë si senatori Charles Schumer, presidentin Barack Obama etj dhe është bashkëautor i librit “Qeverisje inteligjente për shek. XXI: Një rrugë e mesme mes Lindjes dhe Perëndimit”.
Shtypi botëror i është referuar miliarderit me origjinë shqiptare shpesh si “miliarderi pa shtëpi” sepse ai jeton nëpër hotele dhe nuk zotëron një apartament.