Izet Haxhia rikthehet në Shqipëri 19 vjet pasi u largua ndërkohë emri i tij përflitej publikisht si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.
Në emër të tij ka një vendim gjykate që e dënon me 25 vite burg për këtë vrasje, por rikthimi i tij në Shqipëri pritet t’a rihapë këtë çështje dhe kjo do të rikthejë në vëmendjen e opinionit publik detaje dhe personazhe kyçe të asaj periudhe.
Një ndër ta është pikërisht Sali Berisha, të cilin Haxhia e akuzon si organizator të vrasjes së Hajdarit.
Haxhia vjen në Shqipëri në një moment kyç për drejtësinë shqiptare, ndërkohë që në krye të organit të akuzës gjendet një kryeprokurore e zgjedhur vetëm me votat e maxhorancës.
Kaq mjafton që prania e Izet Haxhisë në Shqipëri dhe për më tepër, rihapja e çështjes Hajdari dhe dëshmia e tij të lexohet si një kërcënim i drejtpërdrejt ndaj Sali Berishës.
Fakti që Haxhia rikthehet në Shqipëri me një kryeprokurore të zgjedhur nga maxhoranca e përforcon idenë se ai vjen këtu pas një marrëveshjeje, e cila mund të ketë përfundim final të sajin shkatërrimin e Berishës dhe nxjerrjen të pafajshëm të vetë Haxhisë. /albeu