Shqiptarët po investojnë shumë në ndërtim vitet e fundit. Ndonëse kanë kaluar rreth 30 që kur nisi tranzicioni, shqiptarët ende vazhdojnë të ndërtojnë pa fre, duke bërë llaç e tulla një pjesë të madhe të investimeve të tyre.
Sipas Monitor vendi ynë ka ritmet më të larta në Europë, për sa i përket investimeve në ndërtim.
Kështu për vitin 2016, tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me 1996-n, që është viti i pari që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël. Në 1996-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7%.
Për vitin 2016, ai përbëhet 74.3% nga ndërtimi, 18.3% nga pajisjet, 4.7% për transportin, për bujqësinë 2.28%, ndërsa për programe kompjuterike dhe sistem të dhënadh (database), ku po orientohet sot e gjithë bota, shkojnë vetëm 0.13% të totalit të investimeve.
Ndonëse jemi njëvend me burime të pasura natyrore, për kërkime minerare shkojnë vetëm 0.02% e shpenzimeve, teksa në pjesën më të madhe eksportojmë burime natyrore të papërpunuara, me vlerë të shtuar të ulët. Madje në 1996-n, pesha e shpenzimeve për kërkime minerare ishte më e lartë, 0.41%.
Ndërtimet më të mëdha kërkuan normalisht edhe lejet për ndërtesat, të cilat u rritën ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
Sipas ekspertëve investim në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës në një kohë afatshkurtër, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).
Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin.