Marrëveshja e arritur me Shkupin do të kalojë në Parlamentin grek, nëse nuk do të ishim të bindur në këtë, nuk do ta nënshkruanim atë marrëveshje. Kështu ka thënë zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, në një intervistë për radion greke “Real Fm”. Ai ka thënë se kjo marrëveshje në mënyrën më të mirë të mundshme e mbyll një çështje 25 vjeçare.
Dimitris Canakopulos, zëdhënës i qeverisë greke
“Zoti Kamenos dhe Grekët e pavarur dorëzuan propozim lidhur me nevojën për një shumicë më të zgjeruar në Parlamentin grek, për 180 deputetë. Ky propozim është në tryezë. Qeveria greke i pret rezultatet në referendum dhe tentimin për revizion kushtetues dhe pasi të përfundojë kjo në mënyrë pozitive, do ta bëjmë atë që e parasheh marrëveshja, ta sjellim në Parlamentin grek, sepse janë për një shumicë sa më të madhe të mundshme parlamentare, e cila sipas mendimit tim, është e mundur të arrihet”
Nga ana tjetër përkrahje për Marrëveshjen ka ardhur nga 320 intelektualë grekë, të cilët kanë thënë se e mbështesin marrëveshjen ngase janë kundër nacionalizmit dhe revizionizmit dhe angazhohen për fqinjësi të qetë, solidare, evropiane, ballkanike, sepse Marrëveshja i tejkalon tensionet nacionaliste dhe fetare.
Intelektualët grekë
“E respekton në mënyrë dinjitoze edhe të drejtën e vetëvendosjes së vendit fqinj. E konfirmon marrëveshjen gjuhësore (siç është njohur nga vendi ynë me disa dekada me radhë) dhe shtetësinë e vendit fqinj dhe e tregon në praktikë vullnetin e Greqisë për ndërtimin e një të ardhme stabile të miqësisë dhe paqes me ‘Maqedoninë e Veriut’. Greqia, si vend demokratik dhe evropian i respekton vendimet e parimeve bazë të KB-së”,
Nënshkruesit mendojnë se zgjidhja midis Maqedonisë dhe Greqisë “e siguron ardhmërinë e popujve të të dyja vendeve, por edhe fqinjësinë ballkanike me paqe, solidaritet dhe zhvillim të përbashkët”, tërësisht përshtatet me pozitat greke për emër të ndërlikuar me përcaktim gjeografik dhe “qartë i përcakton kufijtë politikë, gjeografikë dhe kulturorë midis Maqedonisë greke dhe Maqedonisë së Veriut”. Teksti është i hapur dhe vazhdon të rritet numri i nënshkruesve.