Transferimi i Neymar tek Real Madrid dukej i sigurt. Braziliani nuk do të qëndrojë edhe një vit tjetër tek Paris Saint-Germain dhe “Santiago Bernabeu” duhet të jetë destinacioni i ri.
Megjithatë, shkarkimi i Julen Lopetegui-t ka prishur planet e tij. Florentino Perez dëshiron të vendosë një ‘komandant’ në krye të ekipit – Mourinho ose Conte – dhe Neymar nuk do të shkojë në Madrid për të bërë ushtrinë.
Nr. 10 i PSG dëshiron një trajner me profil si ai i Zidane, mik i lojtarëve dhe që jep lirshmëri si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Neymar dhe përfaqësuesit e tij, sipas shtypit spanjoll, ia kanë bërë të ditur Florentino-s dëshirën e tij: Roberto Martinez ose Jurgen Klopp.
Belgu është trajneri i dëshiruar nga të gjithë, falë lojës së tij me topin, por gjermani është ëndrra e madhe për Neymar. Trajneri gjerman njihet për lojën e tij sulmuese dhe për marrëdhëniet e mira që ka me lojtarët, por largimi i tij nga Liverpool duket mision i pamundur.