Gjermania “ringjallet” kundër Rusisë, Rooney i thotë lamtumirë Anglisë me fitore

Pas dy humbjesh radhazi të pësuara në Nations League kundër Holandës dhe Francës, Gjermania është kthyer te fitorja mbrëmjen e sotme pasi ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 miqësoren e luajtur kundër Rusisë në Leipzig.

Takimi është zhbllokuar pas tetë minutash lojë me vendasit që kanë kaluar në avantazh falë Sane, i cili ka shënuar golin e tij të parë në 16 ndeshjet të luajtura me Gjermaninë. Goli i dytë ka ardhur 17 minuta më vonë dhe është realizuar nga Sule, teksa Gnabry ka realizuar golin e tretë dhe të fundit të takimit në minutën e 40-të.

Ky ka qenë goli i katërt për Gnabry në katër ndeshjet e para të luajtura me kombëtaren e Gjermanisë, dyfishin e atyre të realizuar nga golashënuesi më i mirë i historisë së “Die Mannschaft, Miroslav Klose, në katër ndeshjet e tij të para.

Mbrëmjen e sotme është luajtur edhe miqësorja mes Anglisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Takimi i zhvilluar në “Wembley” dhe i fituar 3-0 nga vendasit ka qenë i veçantë për shkak të rikthimit për herë të fundit të Wayne Rooney në kombëtare. Sulmuesi anglez është aktivizuar në pjesën e dytë.

Mesfushori i Manchester United, Jese Lingard ka kaluar në avantazh anglezët me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone në minutën e 26-të, teksa një minutë më vonë ka ardhur edhe goli i dytë i realizuar nga mbrojtësi i Liverpool, Trent-Alexander Arnold, i cili është bërë edhe lojtari më i ri (20 vjeç, 39 ditë) që shënon për “Tre Luanët” pas Michael Owen kundër Luksemburgut në shtatorin e 1999-ës (19 vjeç, 264 ditë).

Momenti më drithërues i takimit ka ardhur në minutën e 58-të, kur ndeshja është ndalur për futjen në fushë të Wayne Rooney, i cili ka marrë vendin e Lingard. Të gjithë të pranishmit në “Wembley” janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur golashënuesin më të mirë të historisë së “Tre Luanëve”, i cili ka marrë edhe shiritin e kapitenit.

Kjo ka qenë ndeshja e 120-të me kombëtaren për ish-sulmuesin e Manchester United. Ai mban vendin e dytë pas Peter Shilton (125) për numrin e takimeve të luajtura me përfaqësuesen.

13 minuta para fundit ka ardhur edhe goli i tretë i anglezëve, që kanë shënuar me Wilson, i cili e ka festuar debutimin me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu