Rusia kërkon që të normalizohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Moskës. Pas përplasjes së disa muajve më parë, ku vendi ynë dëboi dy diplomatë rusë pas debatit të nisur për helmimin e ish-agjentit rus në Angli, dje Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i kërkoi një frymë të re bashkëpunimi Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Duke shfrytëzuar një mesazh urimi për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Putin thekson se duhet që mes dy vendeve të ketë marrëdhënie konstruktive. “I nderuar zoti President, pranoni urimet e mia me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Jam i sigurt se zhvillimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimit dypalësh ruso-shqiptar në fusha të ndryshme do të ishte në interes të popujve të dy vendeve tona, si edhe të gjithë Evropës. Ju uroj Juve shëndet dhe suksese, ndërsa të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj u uroj mirëqenie dhe begati. Me respekt, Vladimir Putin/Moskë, Kremlin/Më 28 nëntor 2018”, thuhet në mesazhin e Putin për Metën. Nëse lexojmë midis rreshtash, përmes këtij mesazhi duket sikur Vladimir Putin po kërkon ndërhyrjen e kreut tonë të shtetit për sheshimin e mosmarrëveshjeve mes Tiranës dhe Moskës. Në kulmin e përplasjeve Shqipëri-Rusi, shteti rus po tenton të zbusë tonet e ashpra dhe tensionet, për t’ia lënë vendin një marrëdhënieje disi më miqësore ku mbizotëron bashkëpunimi. Por interesant është fakti që për ta arritur diçka të tillë, rusët po kërkojnë të përdorin Ilir Metën si “mik”, i cili mund të ndikojë tek politika shqiptare për të “shkrirë” marrëdhëniet Rusi-Shqipëri. Gazeta e ka thënë se LSI ka marrëdhënie shumë të mira me rusët. Luan Rama doli foto me Putin pak kohë më parë, ndërsa Monika Kryemadhi deklaroi se nuk ka asgjë të keqe të kesh kontakte me rusët, kur shpërtheu skandali i lobimeve. Pra këto lidhje të LSI e Metës me rusët, duket se Putin kërkon që të vihen në lëvizje.
Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi
Gjithmonë bashkëpunimi midis dy vendeve ka qenë shumë i komplikuar, ndërsa politikanët shqiptarë janë akuzuar shpesh se po bashkëpunojnë me rusët për të sjellë destabilizim në vend. Po ashtu ka pasur mjaft paralajmërime të lëshuara nga eksponentë të rëndësishëm ndërkombëtarë, por edhe nga përfaqësues të qeverisë shqiptare se Rusia mund të tentojë të rrisë ndikimin e saj në Shqipëri, për ta shtrirë atë më pas në të gjithë Ballkanin. Për këto arsye, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të ngurta dhe nuk janë parë me sy të mirë. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga vetë ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin pak kohë më parë. “Shpresoj që të gjitha këto nisma do të vihen në jetë dhe të na ndihmojnë në rigjallërimin e dialogut tonë, i cili, për fat të keq, ende nuk ka dinamizëm dhe pragmatizëm të mjaftueshëm. Pra, për momentin nuk mund t’i quajmë marrëdhëniet tona si të mirëfillta dhe të gjithanshme për shkak të politizimit të tyre të tepërt. Kohët e fundit na kanë habitur jashtë mase përpjekjet e disa mediave shqiptare, po edhe të disa përfaqësuesve të organeve shtetërore, për demonizimin e Rusisë. Të krijohet përshtypja që qëllimi i tyre është për të bindur qytetarët shqiptarë se vendi ynë është një “perandori e së keqes”, ndërsa rus do të thotë armik”, tha Karpushin para pak kohësh. Edhe vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka pranuar që marrëdhëniet Shqipëri-Rusi nuk janë fort të mira, sidomos pas vendimit të vendit tonë për të dëbuar dy diplomatët rusë. Por tani duket se Vladimir Putin po merr përsipër që kjo situatë të ndryshojë, marrëdhëniet mes vendeve të forcohen dhe të zgjerohet bashkëpunimi. E për ta arritur diçka të tillë, presidenti i Rusisë po i kërkon presidentit tonë që të ndërhyjë dhe të thotë fjalën e tij për mirë për përmirësimin e marrëdhënieve.










