Goli i Barcelonës i shënuar në minutën e 69-të ka vënë përballë Messi-n dhe Pique. Në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj PSV e vlefshme për Champions League, katalanasit shënuan një gol nga një goditje standarde, por për realizimin e tij ka këndvështrime të ndryshme nga dy lojtarët, madje edhe nga vetë trajneri, Valverde.
Për mbrojtësin, i cili ishte ai që devijoi topin drejt rrjetës, e gjitha ka qenë një skemë, e realizuar në mënyrë perfekte.
“E kemi praktikuar shumë këtë goditje të lirë”, tha 31 vjeçari.
Megjithatë, versioni i Pique u mohua shumë shpejt, nga shoku i skuadrës, Messi. “Nuk e kemi provuar. Kjo është gënjeshtër. Ishte një goditje e lirë, Pique ishte atje dhe goli ishte vetëm fat”, tha fituesi i pesë herë i “Topit të Artë”.
Edhe Valverde ka hedhur poshtë deklaratën e mbrojtësit. “Nëse Gerard thotë se është punuar shumë për këtë goditje, unë nuk e dija”, tha duke qeshur tekniku i Barcelonës.










