Viti i kaluar është vlerësuar si historik për eurointegrimet e Maqedonisë, duke filluar nga prilli me raportin pozitiv të Komisionit Evropian si rezultat i asaj që është punuar në thuajse të gjitha fushat, e më pas me konstatimet e qershorit të Këshillit të BE-së për fillimin e bisedimeve nëse Maqedonia e vazhdon përparimin në reforma veçanërisht në pjesën e prioriteteve emergjente reformuese dhe fillimi i procesit historik të skriningut në shtator, me çka vendi e filloi maratonën për hyrje në Bashkimin.
Vendi më 17 prill mori raport pozitiv nga Komisioni Evropian. Në dy raportet e kaluara për shkak të krizës politike, rekomandimi ishte suspenduar dhe kushtëzuar me reforma demokratike. Sivjet, rekomandimi ishte i pastër dhe i pakushtëzuar, me çka Maqedonia e përmbushi kriterin themelor demokratik për fillimin e bisedimeve.
Rekomandimin për fillimin e bisedimeve për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe lëvdatat për përparim në reformat dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, personalisht në Shkup në prill i sollën eurokomisari për Zgjerim Johanes Han dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Federika Mogerini.
Në qershor, nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave i BE-së pas debatit të gjatë për zgjerim, në të cilin shqyrtoheshin rekomandimet për bisedime për Maqedoninë dhe Shqipërinë, vendosi që ta hapë rrugën për fillimin e bisedimeve në qershor të vitit 2019. Maqedonia e ruajti përparimin në reformat veçanërisht në pjesën e prioriteteve emergjente reformuese.
Pas konstatimeve të qershorit të Këshillit të BE-së u krijua hapësirë për fillimin historik të përgatitjeve për skriningun sqarues, që Maqedonia e filloi më 27 shtator në Bruksel me Kapitullin 23, Gjyqësor dhe të drejta fundamentale.
Për këtë qëllimi në Bruksel më 27 shtator shkoi një delegacion 40 anëtarësh i përbërë prej ekspertëve nga institucionet kompetente shtetërore që kanë kompetencë në fushë të caktuar, i kryesuar nga kryenegociatori politik zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndërsa në përbërjen e këtij delegacioni ishin edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, kryenegociatori teknik Bojan Mariçiq dhe ekspertë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
Procesi i skriningut është shqyrtim i detajuar analitik i legjislaturës evropiane në të 33 kapitujt në të cilët është grupuar e gjithë Acquis Communautaire (e gjithë legjislatura evropiane).
Shqyrtimi analitik i të 33 kapitujve do të zgjasë një vit, deri në shtatorin e ardhshëm, pas çka do të vijojë vazhdimi i skriningut bilateral dhe përgatitja e raporteve të skriningut që do t’i përgatisë Komisioni Evropian, ndërsa do t’i aprovojnë vendet anëtare të BE-së përmes procedurës së përcaktuar.
Gjatë kësaj periudhe gjithsej më shumë se një mijë ekspertë do të marrin pjesë në 33 sesione sqaruese të shqyrtimit analitik të legjislaturës evropiane që gjithsej do të zgjasin rreth 70 ditë pune.
Dragan Tilev, këshilltar shtetëror për çështje evropiane dhe shef i Kabinetit të zëvendëskryeministrit për eurointegrime Bujar Osmani, gjatë bisedës për MIA-n vlerëson se që në fillim viti 2018 ishte paralajmëruar si historik dhe ndonëse ndoshta nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë, me të vërtetë është historik.
“Së pari, si rezultat i reformave të filluara me sukses në vitin 2017, të nisura përmes Planit 3-6-9 dhe të vazhduara me Planin 18, vendi u kthye në trajektoren euroatlantike, vendosi komunikim të afërt me fqinjët gjë që kontribuoi të tejkalohen kontestet dekadëshe dhe animoziteti me Bullgarinë dhe Greqinë, e liroi hapësirën mediatike, e rriti transparencën, dhe u fut më thellë në reformat në fushat kryesore: gjyqësor, siguri, administratë publike dhe ekonomi. Së dyti, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe tejkalimin e kontestit me Greqinë, u sigurua ftesë për anëtarësim në NATO dhe plan i qartë për sigurimin e vendimit për fillimin e bisedimeve aderuese për anëtarësim në BE në vitin 2019. Dhe së treti dhe më e rëndësishme, u kthye entuziazmi te administrata, por edhe më gjerë te popullata, se qëllimet tona strategjike janë të realizueshme, dhe se hapet perspektivë për ekonominë, vende të reja të punës dhe standard më i lartë jetësor për popullatën. Në fakt, anëtarësimi ynë në NATO dhe BE është i lidhur në mënyrë të pandashme me zhvillimin tonë ekonomik dhe krijimin e mjedisit të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të biznesit, shprehet Tilevi për MIA-n
Përkujton se ky vit filloi me Strategjinë e besueshme të shkurtit për zgjerimin e KE-së së presidentit Zhan Kllod Junker, vijoi në prill me raportin pozitiv të KE-së dhe rekomandimin e nëntë me radhë për fillimin e bisedimeve aderuese, vazhdoi me Samitin e suksesshëm të Sofjes dhe agjendën pozitive të Sofjes në drejtim të përshpejtimit të procesit të integrimit në rajonin e BE-së, arriti kulmin me konstatimin e qershorit të Këshillit të BE-së, të konfirmuar nga Këshilli Evropian, me të cilin për herë të parë Maqedonisë i është dhënë udhërrëfyes i qartë deri në vendimin për fillimin e bisedimeve aderuese në qershor të vitit 2019.
Si rezultat i përparimit tonë, thekson Tilevi, Komisioni Evropian në shtator të këtij viti i filloi analizat rrënjësore dhe leximin e përbashkët e legjislaturës evropiane, duke filluar me kapitujt 23 (Gjyqësor dhe Të drejta fundamentale) dhe 24 (Drejtësi, liri dhe siguri).
– Zhvillimi i këtillë pozitiv, përparimi ynë në reformat dhe hyrja në fazën e fundit të procesit, mundëson që të konstatoj se kemi pasur vit të suksesshëm dhe rezultate të shkëlqyeshme. Megjithatë, duhet doemos të theksoj se kjo fazë e fundit e procesit do të zgjasë më shumë vite, e sa, kjo para së gjithash do të varet nga vetë ne, nga ambiciet tona politike, por edhe nga kapacitetet dhe aftësia e administratës sonë, tha Tilevi për MIA-n.
Lidhur me pritjet për vitin 2019 sa u përket eurointegrimeve, Tilevi shprehet se nuk ka arsye që të mos jemi optimistë, por optimistë të kujdesshëm.
– Nga njëra anë vazhdojmë me procesin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, me bindjen se edhe Greqia do ta realizojë pjesën e saj dhe vazhdojmë me reformat në fushat kyçe nga Plani 18, që në kombinim për ne do të thoshte anëtarësim të shpejtë në NATO dhe vendim për fillimin e bisedimeve aderuese në qershor, gjegjësisht fillim zyrtar deri në fund të vitit 2019. Ndërkohë, vazhdojmë me leximin e legjislaturës evropiane në të gjithë kapitujt tjerë gjatë vitit 2019 dhe përgatitemi intensivisht për fazën e radhës të procesit, gjegjësisht për të a.q. skrining bilateral, kur institucionet tona do të referojnë në Bruksel për nivelin e harmonizimit me legjislaturën evropiane në të gjithë kapitujt.
Ai vlerëson se ky është një skenar real, por nuk do të ishte serioze nëse nuk i marrim parasysh edhe efektet e Bregzitit në mars dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj të vitit të ardhshëm, si dhe bisedimet për Perspektivën e re financiare 2021-2027 (Buxheti i BE-së), zgjedhjen e Presidentit të ri të KE dhe përbërjes së Komisionit të ri.
“Sfida ka pasur dhe do të ketë edhe më tutje, por më me rëndësi është të fokusohemi në qëllimet tona dhe në reformat vendore, meqë megjithatë, reformat i zbatojmë para së gjithash për vetveten”, konstaton këshilltari shtetëror për çështje evropiane për MIA-n.
Maqedonia prej vitit 2005 kandidate për anëtarësim në BE.
Maqedonia në vitin 2001 ishte e para në rajon që nënshkroi Marrëveshjen e stabilizim-asociacionit. Në vitin 2004 aplikoi për anëtarësi, ndërsa në dhjetor të vitit 2005 mori statusin e vendit kandidat.
Në vitin 2008, pas disa reformave të thella në fushat kryesore, e mori për herë të parë edhe rekomandimin e Komisionit Evropian, paralelisht edhe me liberalizimin e regjimit të vizave dhe prej atëherë e këndej nëntë herë me radhë, duke përfshirë edhe këtë rekomandim në vitin 2018, KE-ja rekomandon që Maqedonia t’i fillojë bisedimet aderuese, por për shkaqe të njohura politike kjo deri tani nuk ka ndodhur.
Rekomandimet e Komisionit në vitin 2015 dhe 2016 ishin rekomandime të kushtëzuara – të kushtëzuara me Marrëveshjen e Përzhinës, zbatimin e prioriteteve emergjente reformuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve korrekte.
Komisioni Evropian në raportin për vendin më 17 prill të këtij viti rekomandoi që Maqedonia t’i fillojë bisedimet me BE-në.
Këshilli Evropian më 26 qershor të këtij viti e mbështeti vendimin për hapjen e kushtëzuar të bisedimeve me Maqedoninë, që duhet të fillojnë në qershor të vitit 2019. Kjo do të varet nga përmbushja e katër kushteve – zbatim i prioriteteve emergjente reformuese, zbatim i marrëveshjes për emrin, raport pozitiv i Komisionit Evropian dhe vendim i Këshillit të BE-së.
Nëse përmbushen kushtet, konferenca e parë ndërqeveritare do të fillonte para fundit të vitit 2019.










