Gullit arsyeton pse Ronaldo është më i mirë se Messi

Ish-futbollisti Ruud Gullit ka treguar pse ai e preferon Cristiano Ronaldon ndaj Lionel Messit, pas paraqitjes mbresëlënëse të portugezit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Atletico Madridit.

Het-triku që e shënoi dje Ronaldo ia siguroi Juventusit kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë sezon, me rezultat të përgjithshëm 3:2, transmeton Gazeta Express.

Kjo paraqitje e portugezit e ktheu përsëri debatin se cili është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve: Messi apo Ronaldo? Sipas Gullit, epërsinë e ka portugezi i Juventusit.

“Mendoj se ai [Ronaldo] është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve sepse e ka fituar titullin e kampionit të Evropës me të gjitha klubet, përfshirë këtu edhe Manchester Unitedin”, ka thënë Gullit.

“Në vende të ndryshme, ai e ka dëshmuar se është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. Ai e ka fituar disa herë Topin e Artë… pesë apo gjashtë herë. Njerëzit e krahasojnë për është e pabesueshme se çfarë ka arritur ai me të gjitha klubet e tij”.

“Messi nuk arriti ta bëjë të njëjtën me Argjentinën. Ai ishte afër, por nuk e arriti. Dhe kjo është e rëndësishme. Edhe për mua, Messi mund të jetë në të njëjtin nivel me të gjithë futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve”.

“Por, Ronaldo është si qershia mbi tortë, për shkak të faktit që luajti në tri vende të ndryshme dhe arriti në të gjitha, i arriti sukseset në mënyrën e tij. Mund vetëm t’i përkulemi këtij djaloshi. Çfarë lojtari është, e pabesueshme!

“Të gjithë e adhurojnë atë për etikën e punës. Madje edhe tani, ai është duke u stërvitur vazhdimisht. Edhe tani, ai dëshiron ta përmirësojë veten edhe më shumë”. /Gazeta Express


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu