Basha i përgjigjet letrës së 5-të të Ramës: Asnjë hap pas

Kryeministri i Shqipërisë ,Edi Rama, ka shkruar edhe letrën e 5-të publike drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Letrën Rama e nis me përgëzimin për protestën e mbrëmshme mbarë kombëtare të opozitës, e cila për dallim nga protesta e 11 majit, u realizua në atmosferë paqësore dhe pa incidente. Ndërkohë kryeministri Rama ka njoftuar shtyrjen për 1 qershor të hapjes së datës për nisjen e fushatës, e jo më 31 maj për kur opozita caktoi protestën e radhës.

Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë. Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju- shkruan Rama në letrën e 5-të.

Por, letrës së 5-të të Ramës, kryetari i PD-së i është përgjigjur negativisht, duke thënë se nuk do të bëjë asnjë hap pas.

Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!- përgjigjet Basha.

Në protestën e mbrëmshme të opozitës, e 6-ta me radhë, e cila zgjati rreth 2 orë e 30 minuta koktejet molotovi dhe kapsollat ishin zëvendësuar me dritat e celularëve dhe balonat në të cilat shkruhej “IK”. Edhe në protestën e një nate më parë kryetarja e LSI-së bëri thirrje që të mos ketë dhunë, sepse kjo sipas saj do t’i jepte pikë Edi Ramës. Edhe ndërkombëtarët paraprakisht ia kishin bërë të qartë opozitës se dhuna është e pa tolerueshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu