Në fillim te Barcelona, pastaj te PSG dhe në fund… firma me Juventusin. Ka qenë një verë e nxehtë për mbrojtësin e talentuar të Ajax, De Ligt, vetëm 19 vjeç dhe që shumë shpejt pritet të vishet bardhezi. Në fakt, “Zonja” ishte opsioni “C”, i fundit, pasi Mino Raiola nisi xhiron nëpër Europë, fillimisht duke takuar drejtuesit e Barcelonas dhe pastaj PSG.
Madje, raporti i klubit katalanas me Ajax, pas firmës së De Jong, ishte i shkëlqyer, por jo se nuk ka qenë në të shkuarën. Kështu, palët ranë dakord për gjithçka, rreth 70 mln euro, por edhe për rrogën dhe bonuset. Por, në fund, diçka u prish! Aq më shumë Ajax fitonte dhe vazhdonte të befasonte, aq më shumë De Ligt dilte në konferenca duke folur me një farë “mendjemadhësie”.
Kështu, nga Barcelona, sipas gazetarit të “Sky”, Massimo Marianella, Lionel Messi, që kishte pyetur ndërkohë edhe De Jong, vendosi veton: “Atë nuk e dua këtu! Futbollist shumë i mirë, por mendjemadh. I ka hipur vetja në qejf dhe rrezikon të na prishë harmoninë në dhomat e zhveshjes”.
Klubi, pas kësaj bisede me numrin “10”, braktisi gjithçka. De Ligt u nis drejt Parisit, aty ku firma ishte pranë, por ardhja e Leonardos prishi planet. Në fakt, Raiola nuk ka raport të mirë me brazilianin, që nuk ka ndër mend të paguajë komisionet e famshme dhe kushtet e superagjentit.
Kështu, pista e fundit mbeti Juventusi, që gjithashtu dëshiron Pogba. Sakaq, gazetari Marianella shprehet dhe se Messi ka ndikuar te mungesa e transferimit të Griezmann, pasi gjithashtu i konsideruar pak mendjemadh dhe jo i thjeshtë dhe në shërbim të ekipit.