Pas shkarkimi të tre ministrave dhe miratimit të dorëheqjeve të tre të tjerëve, sot, për në ora 11:00 është caktuar seanca plenare, në rend dite të së cilës është zgjedhja e ministrave të rinj.
Bëhet fjalë për zgjedhjen e Sadulla Durakut (BDI) si ministër i Sistemit Politik, Naser Nuredinin (BDI) si ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Trajan Dimovskin (LSDM) – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Hisni Ismaili (Alternativa) si ministër i Kulturës dhe Goran Milevski – ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Përndryshe, dje janë shkarkuar Suhejl Fazliu nga posti i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Dragan Tevdovski nga Ministria e Financave dhe Hazbi Lika nga Sekretariati i Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Posti i ministrit u ka pushuar edhe Lupço Nikollovskit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Sadulla Durakut në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Zoran Shapuriqit nga Ministria pa Resor, pasi që të njëjtin paraprakisht kanë dorëzuar dorëheqje.
Për shkak të shkarkimit të ministri Fazliu, lideri i partisë nga ku vjen ai, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) njëherit edhe deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të RMV-së, Vesel Memedi ka deponuar dorëheqjen nga të gjitha postet në Kuvend. Siç ka paralajmëruar ai, “nëse LSDM–ja dhe BDI-ja ia shkarkojnë ministrin, do të dalë nga koalicioni qeveritar”.
Megjithëse sot do të duhej të votohej edhe Zoran Zaevi si ministër i Financave, kjo gjë nuk do të ndodh, për shkak se i njëjti hoqi dorë nga propozimi i vetë që ta udhëheqë këtë dikaster, pasi që Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit e rekomandoi të njëjtën.
Ndryshe, ndryshimet në Qeveri vijnë në kuadër të procesit të ashtuquajtur nga kryeministri Zoran Zaev – “Fshesa”, i paralajmëruar në kuadër të fushatës zgjedhore presidenciale. Paralelisht me këtë proces, ndryshime kanë filluar edhe në kuadër të partisë së udhëhequr nga vetë Zaevi, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e ndërkaq në kuadër të partisë bashkë-qeverisëse, Bashkimi Demokratik për Integrim janë duke u zhvilluar zgjedhje për emërim të të gjithë kryetarëve të degëve, pasi që atyre paraprak u ka skaduar mandati.