Paris San Zhermen tronditi skenën financiare të klubeve të futbollit në Europë, pasi sheikët që kanë në pronësi klubin francez bënë gjatë viteve të fundit blerje të nivelit më të lartë dhe në shifra stratosferike, aq sa u desh ndërhyrja e UEFA-s me hetime të shumta për të frenuar marrëzinë e tregut që diktuan paratë e naftës në futboll, ku arritën vlerat e një transferimi mbi 200 mln euro, sikurse ndodhi dy vjet më parë me Nejmar, i cili u ble nga klubi francez për shifrën e 222 mln eurove nga Barcelona.
Por ndonjëherë as paratë nuk e bëjnë dot një skuadër të fitojë trofeun më të lakmuar për klube në rang europiane, UEFA Champions League. Kjo pasi Paris San Zhermen dështoi për të dihatin vit radhazi të siguronte kalimin deri në gjysmëfinale, e jo më në finale që po duket tabu për kampionët e Francës. Ndërkohë, kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek Nejmar, i cili kishte shprehur hapur pakënaqësinë në radhët e parizienëve dhe kërkonte lagimin, apo më saktë rikthimin tek Barcelona, duket se klubi francez është tronditur dje nga një tjetër lajm surprizues, pasi ylli tjetër i ekipit, Kilian Mbape, ka refuzuar të rinovojë kontratën dhe sipas medieve sportive bëhet fjalë për një dëshirë të lojtarit që të kalojë në radhët e Realit të Madridit. Referuar gjithnjë mediumeve sportive, Paris San Zhermen nuk po përjeton një moment pozitiv.
Është krijuar tashmë përshtypja se projekti faraonik i Al Khelaifit nuk po i bind “yjet” e skuadrës, madje shumë prej tyre po mendojnë të largohet nga kryeqyteti francez. Janë larguar Rabiot, Bufon dhe Dani Alvesh, ndërsa Nejmar po flirton me Barcelonës, duke projektuar kthimin në “Camp Nou”. Por jo vetëm kaq. Edhe futbollisti simbol i kësaj skuadre, Kilian Mbape, kërkon të gjejë një skuadër tjetër të madhe për të përmbushur ambiciet e tij. Sikurse shkruan prestigjiozja spanjolle, “Marca”, kampioni i botës nuk dëshiron të zgjatë kontratën me PSG-në, me aktualen që i përfundon në vitin 2022. Edhe pse drejtuesit e PSG duan ta blindojnë talentin 20-vjeçar për të larguar klubet e mëdha që interesohen për të, pozicioni i tij është shumë i lëkundur. Mes pretendentëve spikat Reali i Madridit, me presidentin Florentino Perez që është hedhur në aksion për të ndërtuar një skuadër “galaktike”, pas zhgënjimit të sezonit të kaluar. Synimi është për të përfituar nga marrëdhëniet tashmë jo harmonike mes Mbapesë dhe PSG-së, me shpresën që vullneti i sulmuesit do të ndikojë në uljen e çmimit, që sot i kalon 200 milionë euro.
Mbetet të shihet kjo situatë deri në fund, por nëse nga PSG largohen Nejmar e Mbape, atëherë klubit francez do t’i bjerë pesha e cilësisë në ballafaqimet europiane në Champions e në të njëjtën kohë do të ketë humbje të imazhit që kishin krijuar lojtarët e nivelit të lartë gjatë viteve të fundit.