Kryeministri në ardhje i Kosovës këtyre ditëve ka qenë i pranishëm në Shkup. Ditë më parë ai në Shkup është takuar me të ngarkuarin e posacëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.
Ky takim është konfirmuar nga vetë zyrtari i lartë amerikan, i cili duke folur për Kurtin ka thënë se, se pritjet e SHBA-së për të si kryeministër janë se ai të jetë një partner i mirë.
Pas këtij takimi, Kurti sot ka qenë sërish i pranishëm në Shkup, ku ka realizuar një takim me kryeministrin Zoran Zaev.
“Sot në Shkup takova kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, me bashkëpunëtorët e tij. I shoqëruar nga anëtarët e kryesisë, znj. Fitore Pacolli-Dalipi dhe z. Liburn Aliu, biseduam për situatën politike në dy vendet tona, mundësitë e bashkërendimit të ndërsjelltë, raportet midis shteteve në Ballkan dhe çështjet e integrimit evropian. Do të mbetemi në komunikim të vazhdueshëm për takime e bashkëpunime në të ardhmen”, ka shkruar në facebook, kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, fitues i zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
Kurti kohë më parë ka deklaruar se është i interesuar të thellojë raportet me Shqipërinë, Kroacinë dhe Mali e Zi.
Përpos Albin Kurtit, edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj kishte takime të shpeshta me Zaevin. Madje ata shpeshherë janë takuar edhe privatishtë në shtëpitë e njëri tjetrit.