Pas muajsh të tërë zvarritjesh, sot nis vetingu në radhët e Policisë së Shtetit. Pritej që vetingu në polici do të nisej nga drejtuesi Ardi Veliu, por i pari që do të përballet me trupën gjykuese të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, është Shefi i Sektorit të Ankesave SHÇBA, Oltion Shehu.
Trupa e vlerësimit e përbërë nga Marjeta Gjelaj, Ela Kerka, Ana Kapaj, do të nisë në orën 12:00 seancën dëgjimore. 3 ditë më vonë, para vetingut do të dalë Adriatik Ago, Zv. drejtor i Përgjithshëm, SHÇBA. Subjekti do të gjykohet nga trupa e përbërë nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku, Elida Liko. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, do i hetojë efektivët e policisë në tre kritere rivlerësimi, në atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës si dhe atij të vlerësimit profesional.
KJV publikon listën e dytë
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit sot zhvillon seancën e parë dëgjimore, ndërsa një ditë më parë, po ky institucion ka publikuar listën e dytë të drejtorëve që pritet të dalin për rivlerësim. Shumica prej tyre, janë drejtues të policive në qarqe. E ndërsa është bërë me dije se me ndryshimet e reja do të jetë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit që do të vetojë rreth 250 punonjës të gradave të larta, ndërsa SHÇBA do të kryejë procesin e vetingut për efektivët e policisë.
Hetimi ndaj policëve
Sipas ligjit të hartuar, lidhur me kriterin e pasurisë, kontrolli do të kryhet për çdo pasuri të luajtshme me vlerë mbi 300 mijë lekë si dhe çdo aset që kanë shitur apo tjetërsuar. Hetimet do të nisin kryesisht me një vetëdeklarim të efektivit e më pas edhe të familjarëve të tij. Në ndihmë të Komisionit për të mbledhur informacionin e nevojitur, do të jenë institucionet si Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, ajo e Shërbimit Informativ dhe prokurorisë, Interpolit apo dhe Europolit. Ligji parashtron gjithashtu se, do të hetohen edhe lidhjet e efektivëve të policisë me kazinotë, nëse kanë shpenzuar para në lojërat e fatit. Efektivët e policisë, gjithashtu do i nënshtrohen edhe testit të drogës dhe të varësisë së alkoolit. Komisioni, një tjetër hetim do të bëjë për të verifikuar nëse efektivët e policisë kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Efektivët e policisë, sipas ligjit të hartuar, duhet të deklarojnë edhe sa herë kanë ndryshuar vendbanim gjatë viteve të fundit si dhe ndryshimin e identitetit nëse e kanë bërë. Ndërkohë një pikë tjetër e rëndësishme e ligjit të vetingut në polici është se lë të hapur mundësinë e përdorimit të makinës së të vërtetës dhe testeve të tjera psikologjike nëse krijohen dyshime se efektivi nuk po thotë të vërtetën. Lidhur me kriterin e figurës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit gjatë hetimit do të hetojë nëse subjekti i rivlerësimit ka lidhje me njerëz të botës së krimit apo dhe nëse kanë shkëmbyer apo jo dhurata e favore me ta. Sipas ligjit të vetingut, përveç kontrolleve të lidhjeve të efektivëve me njerëz të botës së krimit, do të merren parasysh për procesin e verifikimit edhe dyshimet apo denoncimet që do të hidhen ndaj efektivëve të policisë nga radhët e publikut apo dhe medias. Sipas ligjit, çdokush që do të zbulohet se ka lidhje me krimin do të përjashtohen përjetësisht nga shërbimi policor.