VV s’do t’i humbë 3 deputetë, ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP’it

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi ka shkruar se pas vendimit të PZAP-së për votat nga Serbia dhe vendimin për rinumërim, tre kandidatë për deputetë të kësaj partie janë ankuar në Gjykatën Supreme.

Rrustemi ka shkruar në Facebook se KQZ me rezultatet përfundimtare e pati nxjerrë VV-në me 32 deputetë, siç thotë ai, aq sa ia dha populli.

“Kur i dështuan PZAP-së të gjitha tratativat për të penguar votat e rregullta të bashkatdhetarëve nga mërgata, zgjodhën rrugën absurde e në kundërshtim edhe me vendimet e veta të këtij viti e të 2014-s, për të hequr efektin e votave të mërgatës, duke hequr një numër të fletëvotimeve, aq sa ju duheshin për këtë qëllim”, ka thënë i njejti.

Ai shton se vendimet e djeshme të PZAP-së nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin zgjedhor.

“Vendimet e djeshme të PZAP-së nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin zgjedhor, rregullsitë apo parregullësitë, as me të drejtën e votës e ligjshmërinë e votimit. Ata kanë vetëm një hall e një synim. Halli është fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e synimi ishte zvogëlimi i numrit të deputetëve tanë. Hallin nuk mund të ua heqim, por synimin nuk do të mund ta realizojnë. Javë më parë, PZAP, dy herë kishte në dorë ankesën për votat e serbëve, e në dyja rastet i kishte refuzuar. Herën e parë si të palejueshme, herën e dytë si pasafatshme, kurse herën e tretë, e njëjta u bë edhe e lejueshme edhe e afatshme. Por, jo. Vetëm pazari i PZAP-ë u bë vendim, e vendimi i tyre do të mbetët vetëm një devizë e pakëmbyeshme financiarisht”, shtoi ai.

Për këtë arsye, tre deputetë që largohen nga lista e kuvendit, janë ankuar në Gjykatën Supreme.

“Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, deklaroi Rrustemi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu