Vendimi i fundit i PZAP-së për anulimin e votave të ardhura nga Serbia ka sjellë shpresë për koalicionin NISMA-AKR-PD për të patur ulëset e tyre në Kuvendin e Kosovës. Por, me vendimin nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje e cila sot ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme duke e quajtur një vendim të tillë të padrejtë.
E njohësit e çështjeve politike hyrjen e Nismës në Kuvend e shohin si një problem për Albin Kurtin, pasi që sipas tyre do të zbehte ndikimin e VV-së në Qeverinë e ardhshme.
Analisti politik Shemsi Jashari në një prononcim ka theksuar se nëse NISMA bëhet pjesë e Kuvendit Isa Mustafa do të insistojë ta marrë në qeveri.
“Paqartësia e krijuar me numërimin e votave dhe vonesa për qertifikimin e rezultatit zgjedhor krijon edhe mundësi për tu acaruar raportet në mes të fituesit të zgjedhjeve LVV-së, dhe kalimit eventual të pragut nga NISMA si partner i mundëshëm në qeverisje, pasi është rezultati i fundit që afekton këto dy parti dretjpërdrejt në fuqinë e tyre politike. Zoti Mustafa si kryetar i LDK-së, edhe hapur ka deklaruar vullnetin e ti për të bashkëpunuar me NISMEN nëse bëhët pjesë e parlamentit dhe besoj se do të insistonte që edhe NISMA të bëhët pjesë e qeverisë. Besoj gjithashtu se motivi pse LDK ka shprehur deshirën për të pasur edhe NISMEN pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar është vetëm për të zbehur ndikimin e LVV-së, duke ndarë pushtetin me më shumë subjekte dhe për të pasur një aleat që i nevojitet kur të ketë mospajtime me qasjen e Albin Kurtit si kryeministër, për temat e mëdha e sidomos për dialogun Kosovë –Serbi, poashtu edhe për temat tjera si luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thekson Jashari.
Ndërsa njohësi i çështjeve politike Rasim Alija në një prononcim ka theksuar se me Nismën në Kuvend do të ndryshojë tërësisht natyra e koalicionit. Ndryshe gjatë ditës së sotme tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, janë ankuar në Gjykatën Supreme, për vendimin e PZAP-së, vendim i cili ua pamundësoi futjen në Kuvend./BotaSot